20 October
VMRO-DPMNE e cilëson si të padrejtë vendimin e mbrëmshëm të Komisionit Shtetëror Zgjedhor i cili hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara nga kjo parti për rrethin e parë të zgjedheve lokale. Nga kjo parti deklaruan se do të vendimet e KSHZ-së do ti ankimojnë në Gjykatën Administrative , dhe se do të përdorin të gjitha mekanizmat që posedojnë për të vërtetuar se procesi zgjedhor i 15 tetorit është zhvilluar me parregullsi të mëdha.
Një numër i konsiderueshëm i parregullsive zgjedhore të shoqëruara me fakte u relativizuan nga ana e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor. Shumica e anëtarëve të KSHZ-së nga ana e LSDM-së së bashku me kryetarin Çiçakovski nën atmosferë të tensionuar e udhëhoqën seancën e mbrëmshme në të cilën parregullsitë i tejkaluan. VMRO DPMNE pas seancës së djeshme do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë tjera të mbetura, do të dërgojë ankesa deri në Gjykatën Administrative për të gjithë ankesat që u refuzuan nga ana e KSHZ-së – deklaroi Spiro Ristovski, VMRO- DPMNE.
Ndryshe nga partia e Gruevskit, Aleanca për Shqiptarët dhe E Majta, të cilat po ashtu kishin parashtruar ankesa në KSHZ për parregullsi zgjedhore, kanë pranuar vendimin e KSHZ-së dhe nuk planifikojnë të ankimojnë vendimet e KSHZ-së.
Të gjitha partitë politike të cilat ditë më parë kanë dorëzuar deri në KSHZ ankesa të ndryshme mbi procesin zgjedhor, dhe të cilat u janë refuzuar nga ana e Komisionit Zgjedhor, kanë afat prej 24 orësh nga marrja e vendimit të KSHZ-së për të paraqitur deri në Gjykatën Administrative ankesë kundër atij vendimi, ndërkaq kjo e fundit ka afat prej 48 orësh që t’ju përgjigjet ankesave të partive politike. Deri në Komisionin Shtetëror Zgjedhor u parashtruan gjithsej 46 ankesa, nga të cilat 43 ishin dorëzuar nga ana e VMRO-së ndërkaq një ankesë nga ana e Aleancës për Shqiptarët, një nga E Majta, dhe një tjetër nga partia TMRO.
/Vjollca Aliti

