Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pas marrjes së vendimeve për paditë nga Gjykata Administrative, sonte mbajti seancë në të cilën i konfirmoi rezultatet përfundimtare për raundin e parë të zgjedhjeve për komunat për të cilat pati ankesa dhe padi prej partive.
Rivotim për votimin e raundit të parë nuk do të ketë në asnjë komunë, ndërsa në raundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 29 tetor, sipas KSHZ-së, do të zbatohet në 35 komuna ku në 1.517 vendvotime do të votohet për kryetar komune.
Prej komunave të Shkupit raund të dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave do të ketë në Gazi Babë, Çair, Saraj, Kisella Vodë, Butel dhe Shuto Orizare.
Gjykata Administrative i refuzoi të gjitha paditë përveç një nga 24 paditë e VMRO-DPMNE-së për anulim të votimit në një vendvotim në komunën e Sarajit për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, por këshilli gjyqësor solli vendim me të cilin e refuzon ankesën e VMRO-DPMNE-së. Në vendimin e publikuar në ueb-faqe, Gjykata thekson se KSHZ gabimisht ka konstatuar se ankesa e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me votimin për kryetar të Qytetit të Shkupit, ndërkaq që është bërë fjalë për këshill të Qytetit të Shkupit. Gjykata Administrative, megjithatë, nga procesverbalet origjinale ka konstatuar se KSHZ ka vendosur drejtë për ta refuzuar ankesën sepse nga dëshmitë është e qartë se nuk është shkelur Kodi zgjedhor.
Në vendimin e këshillit gjyqësor të Gjykatës Administrative shkruan se “rezultatet nga votimi rreth listave të kandidatëve për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit, për vendvotimin 2461 – komuna e Sarajit, konfirmohen”.

