Partitë politike kanë dorëzuar 46 ankimime për parregullsi eventuale në zgjedhjet lokale. Në përfundimin e mbrëmshëm të afatit prej 48 orë për dorëzim të ankimimeve, në KSHZ nga partitë shqiptare ka vetëm një ankimim nga Aleanca për shqiptarët. Sipas Komisionit shtetëror të zgjedhjeve ankimimet tjera u përkasin partive maqedonase. Nga KSHZ, zëdhënësja Arijeta Xhemaili thotë se VMRO-DPMNE ka numrin më të madhë të ankimimeve.
ARJETA XHEMAILI, KSHZ
“Gjithsej tek KSHZ janë dorëzuar 46 ankimime, ku 43 janë prej VMRO-DPMNE-së, kemi një nga Aleanca për shqiptarët, dhe atë për vendvotimin 0387/1 një vendvotim në Komunën e Gostivarit. Kemi po ashtu një ankimim nga Partia TMRO dhe një nga e Majta”
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se nesër do të mbahet seancë e hapur ku anëtarët e KSHZ-së do t’i shqyrtojnë të gjitha ankimimet një nga një.
ARJETA XHEMAILI, KSHZ
“KSHZ paralajmëron se nesër do të mbajë edhe seancën e saj të hapur në mënyrë traqnsparente do t’i shqyrtojë të gjitha ankimimet e arritura nga partitë politike. Ndoshta duhet të theksohet se të gjitha këto do të shqyrtohen një nga një dhe në bazë të Kodit Zgjedhor, KSHZ do të duhet t’u përgjigjet në afat prej 48 orëve”
Përveç 46 ankesave të partive politike, në KSHZ janë parashtruar edhe 59 ankesa prej qytetarëve për mbrojtjen e të drejtës votuese. Ankesat për procedurën për votim kanë mundur të parashtrohen më së voni deri mbrëmë në mesnatë. KSHZ obligohet që t’i zgjidh ankesat e kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit, në afat prej 48 orësh nga pranimi i tyre. Kundër vendimeve të KSHZ-së për ankimimet, mund të shtrohet padi në Gjykatën Administrative, në afat prej 24 orësh nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, nga ana tjetër, pas ankesës obligohet të sjellë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të saj. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor. Mefail Ismaili /SHENJA/

