Strugani, Armend Arsllani, është propozuar nga kryeministri Zoran Zaev për zv/ministër të Shëndetësisë, në vend të Asim Musës, i cili ka dhënë dorëheqje pas videos të publikuar në të cilën shihet duke marrë ryshfet, njofton Portalb.mk.
Arsllani prej vitit 2013-të deri në vitit 2014-të ka punuar si mjek në mjekësinë e përgjithshme, në Spitalin e Përgjithshëm për Nefrologji në Strugë, ndërkaq prej vitit 2014-të është specializant për Urologji në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Përndryshe, Musa, skandalin e ka quajtur si, “spektakël inekzistues mediatik”, dhe ka deklaruar se, “ka vërejtur te pacientët, në thonjëza, se donin të më bënin grackë”.
“Fatkeqësisht, përpjekja për ta kryer spektakël inekzistues mediatik, me qëllim që të dëmtojë figurën, personalitetin dhe profesionin tim. Në rastin në fjalë, unë e njoftoj pacientin, që pa figurim shëndetësor në vendin tonë, pagesa është private, dhe e njoftoj për koston e mundshme të shërbimit shëndetësor për të gjithë shërbimin, që ai edhe në fakt më pyet për punën time”, tha Musa.
Asim Musa është nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Përndryshe, emisioni “Fiks Fare” publikoi incizime ku zëvendësministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, në spital shtetëror kryen ndërhyrje kirurgjikale kundrejt ryshfetit. Musa, kryen ndërhyrje kirurgjikale në një spital në Strugë, kundrejt 1000 eurove.



