E duam këtë vend “të dashur e miqësor verior” edhe në NATO edhe në BE, por e gjithë kjo do të duhet të realizohet mbi baza të rregullave të BE-së dhe NATO-s. Kështu u shpreh shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov.
Duke e quajtur Maqedoninë gjatë gjithë kohës “vend i dashur miqësor verior” Kotzias shprehi mbështetje për rrugën euroatlantike të Maqedonisë dhe inkurajim për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta me Greqinë. Ai përsëriti se ky vend, do të bëhet anëtare e NATO-s, por vetëm me realizimin e vendimeve të Bukureshtit.
NIKOS KOTZIAS, MINISTËR I JASHTËM I GREQISË
“Greqia e mbështet rrugën euroatlantike të të gjithë Ballkanit. Për dekada në NATO dhe BE jemi të vetmit nga rajoni. Anëtarësimi nuk varet nga ne, por nga ata që do të duhet të vendosin. E duam këtë vend të dashur miqësor verior edhe në NATO dhe në BE, por e gjithë kjo do të duhet të realizohet mbi baza të rregullave të BE-së dhe NATO-s. Besoj se e ardhmja i takon bashkëpunimit tonë dhe se do të gjejmë guxim që t’i tejkalojmë të gjitha elementet që na mbajnë në këtë gjendje jologjike. Do të thotë se duhet të krijojmë më shumë besim, kreativitet dhe ti zgjidhim problemet tona, ta zhdukim irredentizmin dhe në mëngjes të luajmë valle me kulturat tona të përbashkëta”
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, theksoi se në takim nuk është biseduar konkretisht për çështjen e emrit, por se është folur se si po zhvillohet procesi dhe cilat janë modalitetet, si dhe për atë se si secila palë e percepton këtë proces.
Dimitrov nuk kishte ndonjë përgjigje konkrete nëse Qeveria e re do të bëjë diçka lidhur me simbolet dhe përmendoret të cilat e shqetësojnë fqiun jugor. Dimitrov tha se nuk është e mençur të krijohet një politikë mbi figurat historike të para 2000 viteve, duke shtuar se historia nuk mund të ndryshohet, por duhet të fokusohemi tek e tashmja dhe e ardhmja.
NIKOLLA DIMITROV, MINISTËR I JASHTËM I MAQEDONISË
“Do të qëndrojmë në detyrën tonë nga marrëveshja e përkohëshme, do të reagojmë aty ku mundemi. Nuk mund të them plane konkrete, por ky është shekulli 21 dhe nuk na nevojiten komplekse për forcimin e ndjenjës së krenarisë”
Kotzias mes tjerash, theksoi se gëzohet që vendi e ka tejkaluar krizën politike duke shtuar se është në interes të Greqisë që të jetë stabile. Ministrat e jashtëm të të dyja vendeve, thanë se në takim është folur edhe për përmirësimin e raporteve në fushën ekonomike, shkencore, arsimore, të sigurisë si dhe për mosndërhyrjen në në punët e brendshme të të dyja shteteve. Ajnur Bafqari /SHENJA/

