Kontrollet e jashtëzakonshme në objektet ku prodhohen dhe shiten akullore dhe akull kanë nxjerrë në pah një sërë parregullsish. Gjatë kontrolleve janë shqiptuar 45 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 19.430 eurosh, ndërsa janë asgjësuar edhe 202 kilogramë/litra akullore dhe akull të vlerësuara si të pasigurta.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë kryer gjithsej 560 kontrolle gjatë periudhës nga fillimi i korrikut deri në fund të gushtit, në prodhues dhe objekte hotelierike që prodhojnë vetë akullore dhe akull për nevojat e tyre.
Si rezultat i kontrolleve janë nxjerrë 140 vendime për parregullsi, ndërsa në 17 raste është konstatuar se operatorët nuk ishin të regjistruar si operatorë ushqimorë në Agjenci.
Një tjetër problem i konstatuar ishte mungesa e analizave laboratorike. Në 64 operatorë nuk ishin kryer analizat e nevojshme për akulloret dhe akullin, ndërsa te 20 operatorë janë konstatuar mangësi në deklarimin dhe etiketimin e produkteve.
Inspektorët kanë konstatuar gjithashtu se tre operatorë siguronin akull nga furnizues të paregjistruar.
Mangësi edhe në kushtet higjienike
Kontrollet kanë evidentuar probleme edhe sa i përket sigurisë shëndetësore të punonjësve. Në 10 operatorë janë gjetur persona që nuk kishin kryer kontrollet e detyrueshme shëndetësore.
Në pesë objekte janë konstatuar kushte të papërshtatshme higjienike dhe teknike, ndërsa 19 operatorë nuk kishin vendosur procedurat e nevojshme për praktikat e mira të prodhimit dhe higjienës, si dhe procedurat për pastrimin e makinave të akullit.
Në katër raste mungonin të dhënat për gjurmueshmërinë e produkteve, ndërsa te një operator janë konstatuar mangësi në zbatimin e masave të detyrueshme për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari bëjnë të ditur se kontrollet janë realizuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë Ushqimore.
Kontrollet tregojnë se parregullsitë nuk kanë të bëjnë vetëm me kushtet higjienike, por edhe me regjistrimin e operatorëve, analizat laboratorike, gjurmueshmërinë dhe mënyrën e deklarimit të produkteve.



