Një konduktor i hekurudhës ka rënë në pranga, pasi dyshohet se ka kontrabanduar emigrantë, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Bëhet fjalë për një 28 vjeçar nga Shkupi, i cili është kapur pasi dy emigrantë nga Siria, të cilët në polici kanë thënë se i kanë dhënë 1.000 euro konduktorit që të hyjnë në trenin, i cili ka lëvizur në relacionin Gjevgjeli-Shkup.
“Tek ai janë gjetur gjithsej 1.000 euro për të cilat ekziston dyshim i bazuar se rrjedhin nga vepra penale sipas nenit 418-6 i Kodit Penal. Paraprakisht, rreth orës 18.30, në stacionin hekurudhor “Kukuriçan”, Negotinë, në tren për udhëtarë, i cili ka lëvizur në relacionin Gjevgjeli – Shkup, zyrtarët policor nga Qendra rajonale për Çështje Kufitare kanë zbuluar dy emigrantë nga Siria. Në bisedë informative në stacion policor, ata kanë deklaruar se konduktorit i kanë dhënë para që të hyjnë në tren.”, thonë nga MPB-ja.
Konduktori është mbajtur në stacion policor, ndërkaq kundër tij MPB-ja në koordinim me prokurorin publik, do të dorëzojnë padi penale.