Nga Mentor Kikia
Debati për hapjen e Kosullatës Serbe në Shkodër, është kufizuar mes një lloj nacionalizmi folklorik të tipit “Serbi, Serbi ule kokën, se shqiptari ti…” dhe atij “intelektualo-statistikor”, nëse ka apo jo mjaftueshëm serbë në Shkodër të për të justifikuar hapjen e konsullatës.
Unë jam kundër hapjes së konsullatës!
Jo sepse për politikën serbe kam thjeshtë neveri. As sepse në Shkodër nuk ka 10 mijë, por vetëm 50 serbë(në situatë normale, edhe kaq do të mjaftonin për ta hapur një konsullatë).
Por sepse….
Kjo po ndodh në një kohë kur në Veri të Kosovës, në komunën e Zubin Potokut, u zbuluan dy varre masive. Trupat dyshohet se i përkasin një grupi prej 23 intelektualësh shqiptarë, që ushtria serbe, në 1999, i rrëmbeu, i vrau, i varrosi në gropa masive dhe zhduku edhe hartat për të zhdukur gjurmët e krimit.
Mjafton vetëm kjo ngjarje, për ta ngrirë procesin e një konsullate që nuk ka asnjë urgjencë.
Kosova është një shtet tjetër, por ne jemi një komb, një popull. Detyra e Tiranës është të jetë njësh me Prishtinën në politikën e jashtme, veçanërisht në raport me Serbinë.
27 vjet pas luftës, ende mijëra shqiptarë konsiderohen të zhdukur.
Ende dalin në dritë varre masive si në kohën e nazizmit dhe krimeve të Ushtrisë së Kuqe në Poloni.
Ende, në Beograd askush nuk është penduar për këto krime.
Nuk ka asnjë akt politik, që të tregojë se serbët e sotëm, politikisht dhe jo vetëm, nuk janë më ata kriminelët që zhduknin njerëzit e pafajshëm në gropa të përbashkëta, apo duke i hedhur në lumë.
Kur një ministre e çmendur ende përbetohet se po ta kishte patur në dorë, do e kishte shfarosur popullin shqiptar në Kosovë, askush në Beograd nuk u ngrit të thotë:
JO! Kjo epokë ka mbaruar.
Ndërsa Tirana reagoi jo zyrtarisht, me copa komentesh nëpër rrjetet sociale.
Për fat të keq, ndërsa serbët nuk pendohen, ne nuk guxojmë të miratojmë qoftë edhe një rezolutë për ti dënuar këto krime, si një genocid i pastër.
Hapja e një konsullate shqiptare në Preshevë, nuk mund të jetë kurrë reciproke me një konsullatë në Shkodër. Ndërsa mori “guximin historik” të votonte kundër rezolutës për krimet serbe në Kosovë, qeveria shqiptare duhej ta shkëmbente këtë nder të turpshëm që i bëri Beogradit, minimalisht me konsullatën e Luginës.



