Alsat 2019-07-27T15:52:02+02:00
Krimet e nxitura nga urrejtja më së shpeshti ndodhin në komunat e Shkupit: Qendër, Gazi Babë dhe Çair. Një e dhënë e tillë, sipas raportit vjetor të Komitetit të Helsinkit për vitin 2018, i kategorizon këto komuna si më të pasigurtat në vend. Krimet e urrejtjes zanafillën e kanë tek gjuha e urrejtjes, për parandalimin e së cilës institucionet në vend, në mesin e të cilave edhe Prokuroria Publike, nuk po ndërmarrin thuajse asgjë.
Kriminaliteti dhe incidentet nga urrejtja në pjesën më të madhe të rasteve si motiv kanë përkatësinë etnike. Flasim për pjesë të qytetit ku jetojnë qytetarë të disa etniteteve. Për këtë arsye atje ka incidente apo krime të urrejtjes. Në Maqedoni ka vetëm një vendim gjykate për gjuhën e urrejtjes dhe mendoj se kjo tregon gjithçka për efikasitetin e institucioneve”- tha Deklaratë Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit.
Krimet e kësaj natyre, ku më të përfshirë janë të rinjtë, janë dyfishuar gjatë vitit të kaluar. Numri mëi madh i këtyre incidenteve ndodh para proceseve të rëndësishme politike. Një nga arsyet është edhe gjuha radikale që politikanët përdorin në prezantimet e tyre publike. Sociologu Ali Pajaziti, thotë se nëse nuk parandalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes, nuk mund të pritet ulje e krimeve të kësaj natyre.
Janë zonat neuralgjikë të kontaktit mes të rinjve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Në veçanti në këtë drejtim duhet të jenë të kujdesshëm ata që mbajnë timonin e shtetit, gjegjësisht politikanët, të cilët në cikle zgjedhorë përdorin një diskurs jashtëzakonisht ekstravagant, radikal ndaj tjetrit dhe tjetërsisë dhe me këtë infektojnë popullatën rinore, por edhe në përgjithësi”-tha Ali Pajaziti, sociolog.
Megjithatë me konstatimin se në komuna që ai drejton ka numrin më të madh të incidenteve të nxitura nga urrejtja dhe se është komunë e pasigurt nuk pajtohet kryetari i Gazi Babës.
Gazi baba mund të jetë shembull për bashkëjetesën mes etnive të ndryshme. Brenda një vitit e gjysmë kemi hapur tre stacione parandaluese për sigurinë e qytetarëve, me qëllim që të parandalohet çfarëdolloj situate që do të prishte sigurinë”-pohoi Boris Georgievski, kryetarë i Komunës së Gazi Babës.
Sipas të dhënave të dokumentuara të Komitetit të Helsinkit, nga 123 incidente të regjistruara gjatë vitit 2018 79 janë në baza etnike, 31 për shkaqe politike, 6 incidente për shkak të statusit të viktimës refugjat apo emigrant, 4 incidente në bazë të përkatësisë fetare, 4 pas mbajtjes së një ngjarje sportive dhe një ndaj një personi me aftësi të kufizuara. Në 67% të rasteve është ushtruar dhunë.
Evi Shkopi



