Vetëqeverisja lokale e Gostivarit e shpërbleu foshnjën e parë të lindur këtë vit me dhurata të përshtatshme dhe një çek në vlerë prej dhjetë mijë denarë.
Përfaqësuesit e Komunës së Gostivarit e vizituan shtëpinë e çiftit të martuar, Albina dhe Vebi Saliu, prindërit e foshnjës që erdhi në jetë në vitin 2021 në Gostivar dhe së bashku me urimet ua dhanë edhe dhuratat.
“I porsalinduri i parë që erdhi në botë me vitin e ri është një vajzë dhe kjo është një shenjë e mirë dhe sjellë bereqet. Le të jetë edhe viti 2021 i tillë për familjen Saliu si dhe për të gjithë ata që janë bërë prindër këto ditë”, tha gjatë vizitës, Afërdita Hamza, udhëheqëse e Sektorit për Çështje Sociale pranë Komunës së Gostivarit.
Familja Saliu u shtua edhe me një anëtar, mëngjesin e 1 janarit, disa minuta para orës dhjetë. Azah e vogël dhe nëna e saj janë lëshuar nga materniteti. Sipas saj të dyja janë në gjendje të mirë.




