Pasi asnjë kompani nuk u paraqit në dy tenderë për prishjen e ndërtimeve pa leje në qendrën tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit, Komuna e Çairit do të stimulojë kompanitë duke e rritur vlerën e kontratës. Në dy tenderët e parë për prishjen e ndërtesave pa leje në Komunë, ishin paraparë një milion denarë, njofton SDK, transmeton Portalb.mk.
Nga Komuna e Çairit thonë se ajo shumë ishte e parashikuar në fillim të vitit kur ishte nëp proces miratimi i planit vjetor për prokurime publike.
“Sipas konsultimeve dhe në bazë të Ligjit për prokurime publike, Komuna e Çairit do të rrisë vlerën e vlerësuar të prokurimit publik, si mekanizmin e vetëm i mundshëm për shkak të rrethanave të paparashikuara për të inkurajuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurë”, tha Komuna e Çairit.
Tenderi i ri i tretë do të shpallet këtë javë e sa para do të sigurohen për të inkurajuar kompanitë të aplikojnë ende nuk është vendosur.
Ende nuk dihet kush po ndërton ndërtimet pa leje në “Mavrovasja”. Meqenëse Komuna e Çairit nuk mund ta gjejë investitorin, në këtë çështje u përfshi edhe Ministria për punë të brendshme, prej ku dy javë më parë njoftuan se kishin dyshime të bazuara se kush po ndërtonte në mënyrë të paligjshme në qendër të Shkupit dhe se provat do t’ia dorëzojnë Prokurorisë themelore. MPB nuk tregon kush është investitori për të cilin kanë dyshime.
Deri më tani, Prokuroria nuk ka filluar procedurë për këtë lëndë.
Ndërtesa pa leje para “Mavrovasja” është duke u ndërtuar në vendin e kafenesë “Fontana”, e cila u dogj në një zjarr më 1 maj të këtij viti.




