Me 9 vota “Për” asnjë kundër dhe asnjë deputet të përmbajtur pas tre ditëve debat, Komisioni për Çështje Evropiane dha mendim pozitiv që ligji për përdorimin e gjuhëve të kaloj në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Maqedonisë. Mirëpo edhe sot nuk u qetësuan polemikat në lidhje me këtë ligj, në veçanti mes pozitës dhe opozitës maqedonase. Deputetët e opozitës maqedonase, VMRO – DPMNE, Antonio Millshovoski dhe Ilija Dimovski këtë propozim ligj e vlerësuan si antikushtetues dhe diskriminues për komunitetet më të vogla në vend. Në fjalimin përfundimtar në lidhje me këtë ligj, deputeti opozitar maqedonas, Ilija Dimovski ashpër sulmoi socialdemokratët duke thënë se deputetët e kësaj partie kanë patjetër të votojnë pozitivisht, për të mbajtur shumicën parlamentare në jetë.
“Dëshirat tuaja mund t’ia tregoni vetes tuaj para pasqyres, dhe patjetër të votoni për këtë ligj që të mbijetoj qeveria. Mos tentoni neve të na tregoni dëshira përshkak se profesor të Institutit për gjuhë maqedonase, profesor prej Fakultetit Juridik, janë më të shkolluar se unë dhe ti,” tha deputeti i VMRO – DPMNE-së”, Ilij Dimovski.
Ndërsa deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev tha se me kalimin në lexim të parë të ligjit për gjuhët në Komisionin për Çështje Evropiane, bëhet rrumbullaksimi i ligjit të gjuhëve që ka filluar në vitin 2001.
“Ne sot mundohemi të debatojmë dhe ti dëshmojmë njëri tjetrit se ajo që ka fiiluar në vitin 2001, në vitin 2008 normativisht, vazhdoi në vitin 2011 ndërsa rrumbullaksohet sot në vitin 2017 si obligim i yni që ti respektojmë dispozitat ligjore. Ky propozim ligj nuk domethënë se do të ketë dygjuhësi në tërë teritorin e Maqedonisë, kjo është gënjeshtër e madhe dhe as nuk do të thotë se dikush do të ketë të drejta më tepër se sa që i takon në suazat e Kushtetutës së Maqedonisë”, përfundoi fjalimin e tij deputeti socialdemokrat Tomisllav Tuntev.
Me fjalime përfundimtare u shfaqën edhe partitë shqiptare, BDI dhe BESA. Deputeti i integristëve, Ejup Halimi duke mos hyrë në detaje vetëm theksoi se ky propozim ligj thellon besimin ndëretnike në vend.
“Besoj se këto ditë, përderisa diskutojmë për dhe kundër këtij ligji që kemi para nesh, do të kemi parasysh tolerancën ndëretnike. Në këtë rast ta thellojmë këtë tolerancë që ndërt vite mundohemi të ngrejmë në këmbë të hekurta”, deklaroi deputeti i BDI-së, Ejup Halimi.
Lëvizja Besa nëpërmjet deputetit të tyre Fadil Zendeli edhe njëherëpërsëritën qëndrimin se ky propozim ligj nuk zyrtarizon, por vetëm avancon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
“Ky propozim ligj është avancim, por nuk është zyrtarizim i gjuhës shqipe. Fatkeqësisht, edhe pas 27 viteve pavarësi, kjo çështje do mbetet çështje e hapur. Çështja e statusit të gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj duhet të zgjidhet në bazë të mentalitetit historik, etnik dhe kulturor të Maqedonisë. Çdo zgjidhje tjetër për këtë nuk është e drejtë sepse nuk pasqyron realitetin faktik, etnik, historik dhe kulturorë”, deklaroi deputeti i Besës, Fadil Zendeli.
Për këtë ligj më 13 shtator deputetët do të debatojnë edhe në seancën plenare të Kuvendit. / Almakos.com
Përgatiti: Blerim Ismaili
Almakos.com

