Gjykata e Durrësit ka marrë vendimin mbi pesë personat të cilët kërcënuar Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.
Ndaj presidentit të klubit “Iliria”, Nazmi Selmani dhe Petrit Selmanit, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërsa, detyrim paraqitje është vendosur për Brajan e Santiago Selmani, si dhe shtetasin Redian Loci.
Kujtojmë se Nazmi dhe Petrit Selmani kanë kërcënuar Dukën fillimisht me mesazhe e më pas i kanë shkuar në banesë.
Shkak i kërcënimit mësohet se u bë, fakti që një prej djemve të Nazmi Selmanit, Gentian Selmani, i cili aktivizohet si portier në ekipin e Tiranës, nuk është thirrur në Kombëtare.
Në mesazh, Nazmi Selmani i shkruan të Dukës, të pyesë bashkëshorten dhe fëmijët, nëse ai i ka bërë ndonjëherë të qajnë.
“…..pyte nonen e kalamajve tuj pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt…”, shkruante ai.
VENDIMI:
1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personave nën hetim Nazmi Selmani, Santiago Selmani, Brajan Selmani, Petrit Selmani dhe Redian Loci, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 238/1 e 25 të Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim N. Selmani dhe P. Selmani.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci.
4. Urdhërohen personat nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci të paraqiten në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të Hënën e parë dhe të fundit të çdo muaji, ora 10:00.
5. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci, nga salla e gjykimit, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
6.Urdhërohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Durrës, më datë 04 Shtator 2024.