Nga Ornela Çuçi
Ka një mallkim të vjetër shqiptar që më vjen ndër mend kur lexoj historinë e fundit të Palasës. “Mos i hëngshi e mos i pafshi hajrit!” Ma do mendja se duhet ta kenë thënë shumë prej atyre fshatarëve të asaj zone që u sorollatën një jetë për një tapi. Për një AMTP. Për një hipotekë. Për njohjen e një prone. Për një leje shfrytëzimi. Për një ndryshim nga kullotë në një tokë për ndërtim. Dhe që, pasi u lodhën duke provuar se toka e gjyshit ishte e tyre, e shitën për dy lekë, me gjithë derametet e saj.
Sot ajo tokë është flori. Dhe sa herë plas një histori pronash në atë bregdet, më duket sikur ky mallkim del përsëri nga dheu. Sepse vetëm shifrat e Palasës janë një histori më vete.
Në dokumentacionin zyrtar, i gjithë fondi bujqësor i Palasës rezulton 135 hektarë, 5 ha arë, 6 ha pemëtore dhe 124 ha ullishte. Por në raportin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë Himarë del një shifër që të detyron ta lexosh dy herë:
Për Palasën rezultojnë 137 familje që duhet të trajtoheshin me 135 hektarë, ndërsa 131 familje rezultojnë të trajtuara me 150 hektarë. Pra, 135 hektarë tokë. 150 hektarë të ndarë. Pesëmbëdhjetë hektarë më shumë se fondi bujqësor që figuron për fshatin.
Është në tabelën e KLSH-së dhe vetë ky organ paralajmëron se evidencat e ndarjes së tokës “janë jo të sakta”, se “nuk rezulton të jetë bërë regjistri i saktë i ndarjes së tokës”, se nuk është bërë azhurnimi i tokës bujqësore dhe se mungojnë dokumentet dhe gjurmët e auditimit që do të lejonin të verifikohej saktësia e inventarit.
Dhe ky, për mua, është sfondi real i historisë. Jo emrat e resorteve. As emrat e biznesmenëve. Është historia e një bregdeti ku për dekada qytetari i zakonshëm është përballur me një labirint tapish, AMTP-sh, regjistrimesh, mbivendosjesh, lejesh e ndryshimesh destinacioni; ndërkohë që me rritjen e vlerës së tokës janë rritur edhe interesat mbi të.
Pastaj vjen ngjarja e fundit. Makina. Njerëz të armatosur. Polici. Dy efektivë të Policisë Ushtarake, prania e të cilëve u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes, me sqarimin se ishin jashtë shërbimit dhe më pas u pezulluan. Dhe në fund, ndërhyn Kryeministri.
“Kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal…”
Për ta kthyer në një oaz ullinjsh, “territor paqeje”.
Hmmm, tani na u be lëmsh fare, se në Ligjin nr. 8561, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, Neni 2 vendos një kusht themelor: shpronësimi bëhet për një interes publik që nuk mund të realizohet ose mbrohet në mënyrë tjetër, vetëm për shkaqet e përcaktuara në ligj dhe vetëm në masën e domosdoshme për realizimin e qëllimit. Mandej, vjen neni 8, që përcakton shkaqet për të cilat mund të bëhet shpronësimi: ndër të tjera transport, energji, infrastrukturë, mjedis, shëndet, kulturë, arsim, mbrojtje, investime strategjike etj.
Pra, Një projekt publik mjedisor, përfshirë në parim edhe një park, mund të krijojë bazë ligjore për shpronësim nëse plotëson kushtet e ligjit…. Por nuk gjeta askund një kategori që quhet “Pajtimi i dy privatëve që u zunë për tokën.” Kryeministri nuk e shpronëson pronën me deklaratë. Ligji kërkon procedurë. Kërkesë dhe projekt konkret. Shkak ligjor.
Verifikim nga Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.
Identifikim të pronave dhe pronarëve. Njoftim. Vlerësim. Shpërblim të drejtë. Propozim sipas procedurës ligjore.
Madje madje, ligji parashikon edhe rastin kur mbi pronën vazhdon një konflikt gjyqësor. Procesi për pronësinë nuk e bllokon domosdoshmërisht shpronësimin; kompensimi mund të mbahet në një llogari të posaçme derisa gjykata të përcaktojë se kush është pronari.
Shteti po deshi e kap lepurin me qerre, e ne të shkretët Nuk e kemi për herë të parë. Në vitin 1945, regjimi komunist nisi Reformën Agrare. Ligji nr. 108, datë 29 gusht 1945, përcaktonte tokat që shpronësoheshin dhe mekanizmin përmes të cilit realizohej reforma. Pastaj erdhi kolektivizimi. Dhe Kushtetuta e vitit 1976 e mbylli fare diskutimin: toka ishte pronë vetëm e shtetit dhe mund t’u jepej qytetarëve vetëm në përdorim. Diktatura ishte të paktën brutalisht e qartë se çfarë sistemi pronësie kishte ndërtuar. Ne kemi 35 vjet që pretendojmë se kemi ndërtuar Republikë kushtetuese. Pronë private. Siguri juridike. Ndarje pushtetesh. Shtet të së drejtës.
Max Weber dallonte autoritetin racional-ligjor, ku pushteti buron nga ligji, rregullat dhe kompetencat impersonale, nga sundimi patrimonial, ku pushteti publik fillon të ushtrohet si zgjatim i autoritetit personal të sundimtarit. “U zutë? Do t’jua shpronësojmë. Do të mbjellim ullinj. Do ta bëjmë territor paqeje.” nuk di më ku dreqin të na klasifikoj. Te komunizmi jo. Pronën private e kemi. Te shteti racional-ligjor i Weberit duhet të presim procedurën dhe VKM-në. Te patrimonializmi më ngjan pak shumë familjare skena. Ose Alla shqiptarçe, Republikën e Pajtimit me Shpronësim.
Mos u zihni, çuna. Republika vjen t’ua paguajë paqen.
Do të ishte për të qeshur, sikur pas gjithë kësaj historie të mos ishin breza të tërë shqiptarësh që kanë kaluar jetën duke pritur një dokument prone, Sepse, problemi ynë nuk ka qenë asnjëherë mungesa e tokës. Problemi ka qenë gjithmonë kush ka fuqinë të vendosë se e kujt është toka.
Ata pleqtë që e shitën tokën me derte dhe ikën duke thënë “mos ia pafshi hajrin”, ndoshta nuk kishin lexuar as Kushtetutën, as ligjin e shpronësimeve, as Max Weberin… po kam frikë se Shqipërinë e kishin kuptuar shumë më mirë se ne.
The post “Mos i hëngshi e mos i pafshi hajrit!”/ Ornela Çuçi: Historia e Palasës dhe dilema e madhe e pronës në Shqipëri. U zutë për tokën? Shteti ua zgjidh me shpronësim! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


