Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të diasporës kreu demokrat Sali Berisha lëshoi një alarm i fortë për situatën kritike dhe ekzistenciale në të cilën ndodhet vendi. Shifrat e prezantuara tregojnë një realitet të hidhur, ku rreth 46% e qytetarëve e kanë braktisur vendin gjatë dekadës së fundit për shkak të asaj që u cilësua si një “regjim i drogës” në Tiranë.
Ndryshe nga diktaturat klasike totalitare, Kreu demokrat tha se ky sistem po përdor paratë e narkotikëve si një fuqi helmuese që po gërryen nga brenda ekonominë e ndershme dhe institucionet e shtetit. Kreu i PD gjatë fjalës së tij ka falenderuar përfaqësuesit e diasporës në SHBA për kontributin e tyre në lirinë e Shipërisë dhe në çlirimin e Kosovës.
Të dhënat, tha kreu i opozitës gjatë fjalës së tij, nënvizojnë se zhvlerësimi dramatik i euros dhe dollarit në tregun vendas nuk është produkt i një ekonomie të shëndetshme, por i pastrimit të parave të pista, një fenomen që e rendit situatën më keq se ajo e karteleve në Meksikë. Kjo situatë raportohet të ketë çuar në falimentimin e mijëra ndërmarrjeve vendase dhe në zhvlerësimin e remitencave. Sipas Berishës vendi është kthyer në “çifligun e një njeriu”, ku investimet rurale janë zhdukur, ndërsa pushteti dhe buxheti janë centralizuar në mënyrë të paprecedentë.
Në mesazhin drejtuar shqiptarëve jashtë vendit, Berisha kërkoi një mobilizim masiv për të ndalur këtë shpopullim masiv, i cili u krahasua me platformat historike për zbrazjen e trojeve shqiptare. Diaspora shihet si shpresa e fundit për të mposhtur makinerinë e propagandës, për të ndalur ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje dhe për t’u garantuar qytetarëve të drejtën themelore të votës së lirë. Apeli thekson rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë për të shkëputur lidhjet e shtetit me rrjetet e transportit të kokainës dhe për të rikthyer përfundimisht shtetin ligjor.
Sali Berisha: Për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe praninë tuaj sot në këtë takim të përbashkët, mbetem shumë njohës dhe falënderues. Me besim të plotë në rolin e jashtëzakonshëm që ju keni luajtur në të shkuarën dhe do luani dhe tani, në mënyrë që të kapërcejmë një situatë në rrafshin ekzistencial kombëtar, ndër më të rëndat e regjistruar ndonjëherë në histori. Në 10 vjet, nga ajo e keqe e madhe që i ka rënë vendit, mbi 46% e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri. Disa miq të mi kanë kaluar këto tre-katër ditë në thellësitë më të mëdha të Alpeve. Çfarë u bëri përshtypje? Lëre, ku do gjenin punëtorë filipinas, egjiptianë dhe të kombësive të tjera. Tani, ky regjim në Tiranë, ndryshe, nuk është një diktaturë totalitare. Jo, nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka burgje, nuk ka skuadra pushkatimi. Por ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga. E cila, për të kuptuar rëndësinë e saj, do t’ju them kaq: në asnjë vend të botës në 10 vite, dy monedhat më të fuqishme të planetit, dollari amerikan dhe euro evropiane, nuk kanë pësuar një rënie dramatike, respektivisht 35 dhe 32%, sa kanë pësuar në Shqipëri. Kaq janë ç’vlerësuar të gjitha eksportet e vendit, me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje. Nuk po flas për zhvlerësimin e remitencave dhe ndihmave që u çoni njerëzve tuaj në këtë shkallë. Pra kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila është një problem planetar, nuk mund të themi se është vetëm problem shqiptar. Por në Shqipëri, në ekonomi dhe në financa, ka patur efektin më shkatërrimtar se në çdo vend tjetër. Euro është ç’vlerësuar 17% në Meksikë, dollari është ç’vlerësuar 12% në Meksikë. Unë u ndala në këtë aspekt, për të mos thënë aspektin tjetër, që kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë. Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet. Një nga përfaqësuesit më të shquar të Parlamentit Evropian, që kryesoi ekipin e deputetëve evropianë në vëzhgimin e zgjedhjeve, u tha në parlament kolegëve të tij se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit. Dhe e vërteta është që kjo diktaturë një lloj si e para, zgjedhjet i ka farsë.
Tek po bisedoja me një mikun tim David Philips, që I jam shumë mirënjohës për të gjitha ndjenjat e tij miqësore ndaj shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe më tha, cili është problemi? Problemi themelor për ne është paraqitja e këtij problemi shkatërrimtar për Shqipërinë para miqve, partnerëve tanë, kështu siç është. Ky regjim, kjo diktaturë autokratike, është vite dritë ndryshe nga totalitarja. Komunikimi është jo i lehtë sepse ka një fuqi propagande të jashtëzakonshme dhe ka një fuqi lobuese të pakufishme.
S’po ndalem më shumë, por roli dhe rëndësia e juaj, e secilit prej jush, në paraqitjen e këtij realiteti para përfaqësuesve tuaj, para zyrtarëve të këtij vendi, është ndihma më e madhe që ju mund t’i jepni Shqipërisë dhe unë besoj se do t’ja jepni.
Keni bërë një punë të jashtëzakonshme për lirinë e Shqipërisë dhe për çlirimin e Kosovës. Por duhet t’ju them këtu, 10 vitet që lamë pas, nga këto faktorë që përmenda, shqiptarët e larguar nga Shqipëria janë mbi dy herë më shumë se shqiptarët e larguar nga Kosova në zbatim të platformës së Çubrilloviçit, që ajo kishte një synim, një qëllim, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Sot, po këto kushte, e gjithë Shqipëria është kthyer në një çiflig të një njeriu, ku investimet në Shqipëri rurale nuk ekzistojnë, ku u shkatërruan shërbimet një lloj siç parashihte platforma, u hiqen bashkitë, komunat, një centralizim i paparë ndonjëherë.
Çfarë, si duhet ta marrim ne këtë? Këtë duhet ta marrim dhe ne e marrim si një detyrim që të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha mundësitë tona dhe të falënderojmë zotin. Se në qoftë se atë të parën po të vendosje ta luftoje, në 90% të jepte dyert e burgut ose hapje gropën e varrit. Kjo e dyta të jep mundësi ta luftosh, mund të humbasësh vendin e punës, mund të pësosh gjëra, por nuk pëson ato që pësoje tek e para. Ndaj dhe ne jemi shumë të vendosur ta vazhdojmë këtë betejë. Por thirrja ime dhe ndaj jush, që keni qenë gjithnjë diaspora më e rëndësishme e kombit me një rol shumë të madh, të kontribuoni, të frymëzoni miq, nga po përmend disa emra që kam këtu, si Harri Bajraktari, Sergio Bytyçi, do doja të përmendja shumë të tjerë, të cilët në vitet ’90-të në vazhdim bënë gjithçka për Kosovën dhe Shqipërinë. Një kohë e dytë është të përpiqemi të bëjmë gjithçka, përndryshe ky shok demografik që kemi pësuar, në qoftë se nuk ndalohet, në pak dekada më vonë ne do jemi pakicë në vendin tonë.
Asnjëherë nuk ka vend për pesimizëm. Ka një gjë shumë të rëndësishme, që kjo administrate (e SHBA) e ka marrë në mënyrë shumë serioze luftën kundër karteleve dhe ky është një fat i madh. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të kthejmë në Shqipëri shtetin ligjor, të drejtat e shqiptarëve për të votuar të lirë dhe jo në farsë zgjedhore.
Unë jam shumë besimplotë se kontributi juaj do të jetë, në atë nivel të dashurisë që ju keni për Shqipërinë, të atdhetarizmit tuaj, dhe ju garantoj që edhe ne do bëjmë gjithçka për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe.
Unë vij këtu për një viztë pas disa votesh, do bëj gjithçka për paraqitjen e realitetit të Shqipërisë tek partneri ynë kryesor dhe në fakt kam shumë besim në mbështetjen dhe në ndihmën e Shteteve të Bashkuara mbasi në këtë rast është interesi shumë i madh edhe i këtij vendi. Shqiptarët, të dashur miq, sot janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, me distancë nga të tjerët dhe e gjitha kjo është në makinerinë e pushtetit.
Pra, e konsideroj veten me fat që pata mundësi të vij e t’ju takoj ju, me besimin më të madh tek kontributi juaj për të rikthyer në Shqipëri, kushtetutën, ligjin, të drejtat bazë të shqiptarëve.
The post Berisha darkë me diasporën në SHBA: Ka një plan të frikshëm që po zbraz vendin. Zhvlerësimi i euros dhe dollarit, prej pastrimit të parave të drogës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


