Prokuroria Publike ka arrestuar edhe pesë persona të tjerë që e kanë torturuar kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend ndërsa tre të tjerë ende po i kërkon. Siç njoftuan nga kjo prokurori, teksa po bëheshin hetimet u zbuluan edhe pesë persona shtesë që kanë qenë pjesëmarrës në këtë sulm dhe atyre tashmë iu rëndon akuza “tentim për vrasje”. Prokuroria Themelore nuk dha detaje shtesë për personat e parë të dyshuar për dhunën ndaj Selës, por tha se këto persona që tashmë i kanë kapur janë në paraburgim derisa të kryhen hetimet e nevojshme.
PROKURORIA THEMELORE
“Prokurori Publik ka dhënë urdhrin për zgjerimin e hetimit edhe për pesë persona të tjerë, lidhur me veprën penale Tentim për vrasje të kryer me bashkëpunëtor. Pesë persona janë arrestuar gjatë bastisjes së shtëpive të tyre që u bë me kërkesë të prokurorit publik. Gjatë ditës, Prokuroria do të ndërmarrë edhe veprime të tjera me qëllim të vërtetimit të fakteve edhe ndaj personave të tjerë”.
Siç mësohet, sulmuesit e kapur të Selës janë Andrej Micov, 22-vjeçar, Nikolla Bojminovski 39 vjeç, Aleksandar Janevski- Toshta 57 vjeç, Kosta Dellov 26 vjeçar dhe Stojan Pavlevski-Kobra, 51 vjeçar.
Prokuroria Publike ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për t’i gjetur tre personat që ende janë në kërkim.
PROKURORIA THEMELORE
“Prokurori publik ka miratuar publikimin e fotografive të personave në kërkim. Fotografitë janë publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Apelohet deri tek të gjithë qytetarët në qoftë se njofin ndonjërin prej personave të prezantuar në fotografi, që të lajmërohen në stacionin më të afërt policor”
Në ditët e para të sulmit, u kapën dy persona, babë e birë që kryesonin turmën e cila e tërhoqi zvarrë Selën. Përfshirë edhe rastet e reja, numri i përgjithshëm i sulmuesve të zbuluar të Selës është dhjetë persona.
Zijadin Sela në ngjarjet e 27 prillit ishte tërhequr zvarrë dhe sulmuar fizikisht nga disa persona të maskuar dhe të pamaskuar, dhe tani pas gjashtë muajsh, kur janë shqyrtuar inçizimet e kamerave të sigurisë dhe janë marrë deklarata nga dëshmitarë, hetimi po zgjerohet. Ngjarjet e 27 prillit në Kuvend filluan të zbërthehen në gjykatë me sulmuesin e Radmilla Shekerinskës i cili u dënua me 4 vjet burg, ndërsa tani priten edhe dhjetëra raste të tjera kolektive ose individuale të dhunës. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

