LEXO EDHE:
Gazetar: Mefail Ismaili
Përgatitjet për pastrimin e deponisë Lindan nga fabrika “Ohis” janë në përfundim dhe së shpejti kjo lëndë e rrezikshme ekologjike do të largohet, shkruan Alsat.
Ministri i Mjedisit jetësor dhe Planifikimit hapësinor Naser Nuredini, vonesat e deritanishme i arsyetoi me sigurinë për banorët që jetojnë rreth fabrikës “Ohis”. Pas pastrimit të terrenit dhe masave tjera mbrojtëse është vendosur makineria për pastrimin e deponisë së vogël.
“Në këtë fazë prioritet ishte siguria, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për mbetje historike e cila kërkonte qasje më të kujdesshme dhe përshtatjen e situatave në teren të cilat nuk mund të parashikoheshin. Tani pason faza tjetër, me të cilën do të fillojë revitalizimi i njërës nga pikat më të nxehta në territorin e vendit tonë e cila, për fat të keq, në këtë lokacion është me dekada”, tha Naser Nuredini, Ministër i Ekologjisë.
Procesi i pastrimit të deponisë Lindan nga fabrika “Ohis” do të kushtojë rreth 9 milion euro. Për këtë, zyra e BE-së në Shkup do të kontribuojë me 2,5 milion euro, ndërsa është vendosur bashkëpunim me qeverinë e Norvegjisë dhe me agjencitë e Kombeve të bashkuara UNIDO dhe UNOPS. Pas pastrimit të Lindanit nga deponia e vogël pason edhe pastrimi i deponisë së madhe si dhe largimi i mbetjeve të zhivës. I pyetur për zgjidhjen e problemit të deponive në dalje të Komunë së Haraçinës, ministri Nuredini tha se vazhdojnë përgatitjet për ndërtimin e deponive në të gjitha rajonet e vendit por pa afat konkret. Nuredini tha se pret nga deputetët që të mbështesin propozim ligjin e dorëzuar në Kuvend për mjedisin jetësor i cili do të mundësojë fillimin e punës për identifikimin e deponive, sjelljen e metodologjisë për revitalizim dhe vendosjen e mekanizmave financiare për sigurimin e mjeteve për të gjithë pikave të zeza në shtet./Alsat.mk



