Partia VLEN sot ka njoftuar se përmes ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka propozuar rikthimin e “shportës shkollore”, me zbritje deri në 15 për qind për pajisjet shkollore. Ata bëjnë të ditur se në këtë masë do të përfshihen çantat, fletoret, lapsat, markerat, blloqet e vizatimit dhe produkte të tjera bazë që u nevojiten nxënësve për fillimin e vitit të ri shkollor.
VLEN
“Kjo është një tjetër masë konkrete e VLEN-it në Qeveri, me të cilën politika kthehet në ndihmë të drejtpërdrejtë për qytetarët. Në vend të premtimeve, fokusi është te masat që ua lehtësojnë jetën familjeve dhe ulin shpenzimet në periudha kur ato kanë më shumë nevojë për mbështetje”.
Nga VLEN thonë se produktet do të jenë të shënuara qartë në shitore, ndërsa zbritja do të aplikohet direkt në arkë dhe do të pasqyrohet në kuponin fiskal.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski ditë më parë konfirmoi që në seancën e ardhshme qeveritare të martën, do të marrin një vendim për krijimin e shportës shkollore.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



