Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana, ka njoftuar se në vend është regjistruar edhe një rast tjetër i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor. Siç deklaroi Cana, bëhet fjalë për një pacient 73-vjeçar, i cili kishte një gjendje të rëndë klinike dhe sëmundje të shumta shoqëruese serioze, të cilat kanë ndikuar në përfundimin fatal.
FADIL CANA, DREJTOR I KLINIKËS SË SËMUNDJEVE INFEKTIVE
“Pacienti qëndroi 22 ditë në Klinikë dhe që nga momenti i pranimit ishte në gjendje shumë të rëndë. Ai u shtrua në Repartin e Kujdesit Intensiv dhe u vendos në mbështetje respiratore”.
I ndjeri ishte nga Shkupi, konkretisht nga komuna e Aerodromit. Deri më sot gjithsej pesë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në vend. Janë të hospitalizuar 21 pacientë, prej të cilëve 18 kanë infeksion të konfirmuar me virusin dhe formë neuroinvazive, ndërsa tre pacientë konsiderohen raste të dyshuara. Gjithashtu numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar dhe të lëshuar nga spitali është 19.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
The post (VIDEO) Edhe një rast i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor, gjithsej pesë viktima deri tani appeared first on TV-SHENJA.


