Transporti publik falas në Shkup vazhdon t’u mohohet studentëve të Universiteteve publiko-private dhe atyre private. Studentët shprehen të revoltuar me këtë vendim dhe thonë se ndjehen të diskriminuar dhe jo të barabartë me kolegët e universiteteve shtetërore të cilët e gëzojnë këtë të drejtë. Zubaide Ashimi udhëton çdo ditë nga fshati Studeniçan për në fakultet dhe thotë se mungesa e transportit publik falas përveç shpenzimeve të dyfishuara kufizon studentët të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme.
“Ky është një diskriminim ndaj nesh për arsye se të drejtat tjera na lejohen, subvencionin ushqimor e marrim, të drejtë për të aplikuar për bursë shtetërore kemi mirëpo kjo e transportit publik nuk na lejohet. Unë jam viti i tretë në studime dhe udhëtoj privat me shpenzimet e mia. Universiteti jonë është publiko-privat, nuk është vetëm privat, përderisa një pjesë I takon edhe shtetit mendoj që na takon kjo e drejtë t’i marrim këto”, tha Zubaide Ashimi, studente.
Ndërkohë, Lindita Ferati e cila çdo ditë udhëton nga Kumanova për në Shkup dhe anasjelltas tha se janë të pa përmballueshme shpenzimet e rrugës kundrejt të ardhurave që ka një familje.
“Pavarësisht institucionit të cilin ne e zgjedhim t’i kryejmë studimet ne nuk duhet të përjashtohemi nga e drejta e transportit publik sepse të gjithë studentët jemi taksa pagues dhe jemi banorë të këtij qyteti apo qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Universitetet kanë studentë të cilët vijnë prej shumë më larg, jo vetëm prej Kumanovës, kam kolegë që udhëtojnë edhe nga Dibra andaj duhet të merret kjo parasysh sepse shpenzimet…jashtë normales realisht janë edhe nëse ne duam jashtë qendrës të universitetit të udhëtojmë atëherë kjo është paksa e pamundur duke pas parasysh edhe rrogat minimale apo mundësitë që ofrohen këtu”, tha Lindita Ferati, studente.
Për këtë mungesë, studentët fajësojnë Qytetin e Shkupit, pasi Arsovska kishte dhënë një premtim të tillë në fushatën parazgjedhore. Nga Qyteti i Shkupit nuk u përgjigjën në pyetjet e Alsat lidhur me këtë problematikë. Ndërsa, nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik kohë më parë u përgjigjen se institucioni i tyre vepron sipas vendimit qeveritar dhe të qytetit të Shkupit të vitit 2015./Alsat.mk