Arrijnë ankimimet e para në Komisionin Shtetëror Zgjedhor që kanë të bëjnë me ditën e zgjedhjeve lokale. Dyzet e tetë qytetarë kanë parashtruar ankimime në KSHZ ditën e zgjedhjeve me arsyen se nuk kanë gjetur veten në Listën Zgjedhore dhe nuk kanë mundur të votojnë.
Ata nuk do të mund të votojnë as në rrethin e dytë të zgjedhjeve, sepse lista zgjedhore tashmë është mbyllur. Një votues është ankuar se nuk ka qenë në certifikatën e listës zgjedhore, ndërsa ka qenë në verifikimit elektronike përmes ueb mjetit të KSHZ-së.
Ndërkohë, sa i përket partive politike, deri më tani në KSHZ kanë arritur dy ankimime, nga Aleanca për Shqiptarët dhe nga TMRO. Partitë politike kanë afat që të dorëzojnë ankimimet e tyre deri në orën 24 sot.
Në vijim është fushata zgjedhore për rrethin e dytë. Më 29 tetor do të votohet për përzgjedhjen e kryetarëve të 35 komunave të tjera, në të cilat nuk u zgjodh kryetari i komunës në rrethin e parë në zgjedhjet lokale.
Në raundin e dytë LSDM dhe VMRO-DPMNE do të garojnë në 19 komuna, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët në pesë, BDI dhe BESA në shtatë, në një komunë kandidati i një grupi votuesish dhe VMRO-DPMNE-së, në një BDI dhe LSDM, në një LSDM dhe Aleanca e Romëve dhe në një tjetër PDSH dhe BESA.
Sipas të dhënave të përpunuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në raundin e parë LSDM fitoi 37 mandate të kryetarëve të komunave, VMRO-DPMNE tre mandate për kryetar komune, BDI dy, grup votuesish dy dhe Partia Demokratike e Turqve një. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24. Teuta Buçi /SHENJA/

