Policia financiare hodhi poshtë pretendimet e Kreut të Gostivarit Nevzat Bejta se kontrollet kanë prapavijë politike. Sipas kësaj
drejtorie ndërhyrja në Komunë është bërë me urdhëresë të Prokurorisë Publike për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nga Prokuroria Publike nuk japin detaje për hetimin.
Kontrollet e policisë financiare në Komunën e Gostivarit jozyrtarisht kanë për qëllim hetimin e projektit për asfaltimin e një rruge në fshatin Tumçevishtë, projekt ky i cili ka përfunduar para dy viteve dhe kap vlerën e rreth 80 mijë eurove.
Kreu i Gostivarit, tha se në kontrollet e para nuk është evidentuar asnjë shkelje, as gjatë prokurimit publik dhe as gjatë përmbarimit të projektit. Bejta u shpreh i bindur se pas kontrolleve të policisë financiare qëndron VMRO-DPMNE-ja.
Në partinë e Gruevskit thonë se nuk janë në dijeni për një kontroll të tillë.
Ditë më parë kreu i Gostivarit Nevzat Bejta deklaroi se shqiptarët nuk duan koalicion me VMRO-DPMNE-së e Nikolla Gruevskit. Por ky i fundit në intervistë për të përditshmen “Dnevnik” kishte potencuar se Bejta është njëri nga zyrtarët e BDI-së i cili admiron në mënyrë të veçantë Gruevskin dhe punët e tij.