Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se gjatë vitit të parë të mandatit të tij janë përmbyllur ose kanë nisur një sërë projektesh infrastrukturore në territorin e komunës të premtuara gjatë fushatës zgjedhore.
Mexhiti në një intervistë për Alsat M ka theksuar se një pjesë e projekteve nga programi i tij tashmë janë në fazën përfundimtare, ndërsa realizimi i të tjerave ka filluar ose pritet të fillojë së shpejti.
“Diku jemi në fillim të projekteve dhe diku në përfundim të projekteve. Kështu, rruga ‘Ferid Murati’, është në fazën përfundimtare, ka filluar rruga ‘Mit’hat Frashëri’, ndërsa po fillon edhe rruga ‘Hasan Prishtina’”, deklaroi Mexhiti.
Sa i përket sheshit “Skënderbeu”, kryetari i Çairit tha se procedurat janë drejt përfundimit dhe se punimet pritet të nisin para Vitit të Ri. Sipas tij, projekti përfshin investime prej mbi 20 milionë eurosh për ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Mexhiti, siç informojnë nga shërbimi për shtyp i komunës, njoftoi se në shkurt ose mars planifikohet të nisë realizimi i projektit për rrugën “Cvetan Dimov”, të cilën e cilësoi si arterien kryesore të Çairit.
Në plan janë edhe ndërhyrje në ndërtesat kolektive që nuk kanë ashensorë.
“Gjithashtu, së shpejti do të fillojmë edhe me ashensorët për ndërtesat që nuk kanë ashensor”, tha Mexhiti.
Kryetari i Çairit vlerësoi se brenda vitit të parë të mandatit pritet të realizohet programi i prezantuar gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa për tre vitet e ardhshme paralajmëroi hartimin e një programi të ri në bashkëpunim me qytetarët.
“Mendoj se brenda vitit të parë jemi në realizim të të gjithë programit që e kam premtuar në fushatën zgjedhore dhe do të duhet me qytetarët të punojmë për një program të ri për tre vitet e ardhshme”, përfundoi Mexhiti.
The post Izet Mexhiti: Brenda vitit të parë po e realizoj programin e premtuar për Çairin appeared first on TV-SHENJA.


