Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia ka ulur në 15 vjet burgim dënimin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa.
Në dhjetor të vitit 2022, Mustafa ishte dënuar për krime lufte me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Në dhjetor të vitit 2023, Apeli ia kishte ulur dënimin në 22 vjet burgim.
Në njoftimin e 10 shtatorit u tha se Paneli i Gjykatës së Apelitshqiptoi ndaj Mustafës dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim “duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”.
“Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e zotit Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e zotit Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, u tha në njoftim.
Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 24 shtator të vitit 2020.
Procesi gjyqësor kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. Gjatë gjykimit edhe tetë viktima kanë dhënë dëshmitë e tyre.
Mustafa është personi i parë që është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale – lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me krime lufte.
Në korrik të këtij viti, Gjykata ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim, për krime lufte.
Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar.
Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht.
Gjykata Speciale heton krimet që pretendohet se janë kryer nga ish-anëtarët e UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Gjykata Speciale ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës. /REL/