Ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin në fundin e viteve 1990, Xhejms Perdju për “Zërin e Amerikës” ka folur mbi sfidat me të cilat po përballet rajoni, si dialogu Kosovë-Serbi, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, si dhe ndikimi rus në Ballkan. Perdju negociatat, i sheh si pozitive, por theksin e vë te njohja e pavarësisë të Kosovës nga Beogradi. “Bisedimet janë gjithmonë të mira. Por ajo që ka rëndësi është se për çfarë bihet dakord dhe çfarë zbatohet konkretisht. Në qendër të tyre është njohja e Kosovës nga Serbia.
Kjo do t’i lejonte të dyja vendet të lëvizin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Perdju. Serbia, sipas ambasadorit duhet të heqë dorë nga provokimi për të nxitur përçarje etnike për qëllime politike dhe ta kuptojë se e ardhmja e rajonit është te bashkëpunimi dhe demokracia.
“E ardhmja e rajonit nuk janë grindjet rreth sovranitetit ose çështjeve të tjera. Pra në thelb, këto bisedime janë rreth pranimit të Bosnjës, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Për realizimin e kësaj duhet njohja e Kosovës nga Serbia. Nuk mund të lësh një vend jashtë dhe të pranosh tjetrin”, tha më tej Perdju. Të gjitha çështjet mes vendeve të Ballkanit duhet të zgjidhen para se ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, vazhdon ambasadori. Perdju ishte i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kujtimet e tij nga rajoni, ai i ka përmbledhur në librin “Paqja, udhëheqja amerikane dhe fundi i gjenocidit në Ballkan”, i cili do të dalë në treg janarin e vitit të ardhshëm.

