Një muaj para zgjedhjeve lokale rritet pakënaqësia e qytetarëve nga kryetarët e komunave, tregon anketa e IRI-t. 58% e votuesve janë shumë ose pjesërisht të pakënaqur nga kryetari i komunës në komunën e tyre që është një rritje prej 7% në krahasim me muajin mars të këtij viti.
Mbi 2/3 e qytetarëve vlerësojnë se pushteti lokal në komunën e tyre duhet të ndërrohet. Përkundër kësaj, vetëm 23 për qind janë të kënaqur nga puna e kryetarëve aktual dhe mendojnë se ata meritojnë mandat të ri- thuhet në anketën e IRI-it.
Si problem më i madh në komunat ku jetojnë qytetarët është theksuar furnizimin me ujë, pastaj vijon papunësia, zhvillimi urbanistik dhe infrastruktura. Për mbi gjysmën e votuesve përkatësia etnike e kandidatit nuk është çështje kryesore dhe kanë thënë se do të votonin për pjesëtarë të një komuniteti tjetër nga ai që janë ata. Është interesante se në këtë çështje ka rritje për 10% për dallim nga gjysmë viti më parë.
Përfundimi i dytë që del nga anketa e IRI-t është se fundi i krizës politike dhe formim i qeverisë ngadalë mes qytetarëve e kthen optimizmin e humbur.
Sipas 24 për qind e të anketuarve, gjendja politike është e qetë dhe stabile, dhe për të njëjtën përqindje është e tendosur dhe jostabile. Megjithatë, ka përmirësim të dukshëm në krahasim me muajin mars ku vetëm 5 për qind ndjenin paqe dhe stabilitet në politikën e brendshme. 27 për qind e popullsisë mendon se Maqedonia lëviz në drejtimin e duhur, që është një rritje prej 13 për qind nga muaji mars i këtij viti- thuhet në anketën IRI-it.
33% tani besojnë se ekonomia do të përmirësohet në dy vitet e ardhshme që është një rritje për 12%. Ashtu si vitin e kaluar jetojnë 61%, më mirë 16%, ndërsa më keq 18% e qytetarëve.
Për shqiptarët në Maqedoni më e rëndësishme për përmirësimin e statusit të tyre në shtet është integrimi në NATO dhe BE, pastaj vijon përmirësimi i standardit jetësor, ndërsa përdorimi më i gjerë i gjuhës shqipe është në vendin e 4. Në përgjithësi problemi më i madh në shtet është papunësia. Ashtu janë deklaruar 34% e qytetarëve, ndërsa vetëm 2% në krye të listës së problemeve e vënë ligjin për gjuhët. Madje 46% e popullsisë ende druajnë se bisedat telefonike përgjohen. Kjo përqindje në qershor ishte 52.
Mirko Trajanovski

