Asnjë institucion nuk pranon të komentojë dokumentin që në shkollën “Liria” “po shitet” si vendim pune. Edhe pse televizioni SHENJA dje trajtoi këtë temë duke ngritur shqetësimin për manipulimin e mundshëm të të punësuarve në këtë shkollë, as Ministria e Arsimit e Inspektorati Shtetëror i Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale nuk pranuan kompetencë për të folur lidhur me këtë temë.
Fillimisht iu drejtuam Ministrisë së Arsimit e cila pas dy ditësh pritje, na tha se ata nuk janë kompetent për interpretim juridik të konkluzës dhe na drejtuan tek Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe ai i Punës.
MINISTRIA E ARSIMIT
“E shqyrtuam pyetjen por erdhëm në përfundim se ne nuk jemi kompetent për të interpretuar peshën juridike të këtyre dokumenteve dhe se duhet t’i kontaktoni Inspektoratin e punës dhe të arsimit, ata do ju udhëzojnë më së miri”.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në kuadër të së cilës është Inspektorati i Punës, vlerësojnë se kjo temë duhet të drejtohet tek Ministria e Arisimit dhe Inspektorati i arsimit.
MINISTRIA E PUNËS DHE POLITIKËS SOCIALE
“Ju lutemi që të drejtoheni tek Ministria e Arsimit ose Inspektorati Shtetëror i Arsimit”.
Por, as Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk e merr përsipër komentimin e kësaj teme. Në përgjigjen ndaj pyetjes sonë në mënyrë të shkurtër na thanë se nuk janë kompetent.
INSPEKTORATI SHTETËROR I ARSIMIT
“Kompetenca lidhur me Ligjin për marrëdhënie pune ka një tjetër institucion”.
Teksa vazhdon loja e ping-pongut mes institucioneve, mbetet e paqartë nëse ky dokument që të punësuarve ju paraqitet si vendim pune, mund të keqpërdoret për manipulime me të punësuar për t’i bindur të votojnë për parti të caktuar politike.
Shenja dje nëpërmjet qytetarëve anonim, denoncoi se shkolla “Liria” ndan vendime pune pa peshë juridike duke i interpretuar si të jenë VENDIME ose AKTVENDIME pune. Deri më sot, nuk ka ende një përgjigje ose reagim nga drejtori i shkollës “Liria” nga Çairi, Talat Sadiku, për të cilin qytetarët anonim na treguan se këto ditë ka ndarë dhjetëra vendime të tilla.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

