27 November
Ligji për mbrojtjen e informatorëve nuk solli asgjë përveç heshtjes. Mosbesimi në sistem dhe jo gatishmëria e institucioneve i ka shkurajuar qytetarët që të denoncojnë korrupsionin apo ndonjë krim tjetër në institucione apo kompanitë private ku ata punojnë. Gjatë vitit 2016 nuk është regjistruar asnjë rast i denoncimit të brendshëm, as në Komisionin kundër korrupsionit, dhe as në 40 institucione që kanë emëruar persona për pranimin e denoncimeve nga informatorët. Pranë Komisionit anti-korrupsion kanë arritur raporte me tabela të zbrazëta për numrin e denoncimeve dhe rasteve të hapura.
Zbatimi i ligjit është në nivel të pakënaqshëm. Kjo ka të bëjë fillimisht me mungesën e vullnetit politik për vendosjen e një sistemi mbrojtës për informatorët në sektorin publik dhe atë privat. Kjo është e qartë nga numri shumë i vogël i institucioneve në sektorin publik që përmbushën obligimin e tyre ligjor në vitit 2016 për vendosjen e sistemit të denoncimit dhe mbrojtjes së informatorëve- bëhet me dije nga Komisioni Antikorrupsion.
Ligji për mbrojtjen e informatorëve është obligim edhe për kompanitë private. Çdo kompani me mbi 10 punëtorë patjetër të ketë të caktuar një person të posaçëm për raste të tilla. Megjithatë, as në sektorin e biznesit nuk ka informata se sistemi i “Informatorëve” ka dhënë rezultat.
Vetëdija e personave të autorizuar dhe të punësuarve në institucionet e sektorit publik dhe atij privat, si dhe i opinionit të gjerë për sistemin e vendosur të denoncimeve dhe mbrojtjen e informatorëve, është shumë e ulët dhe si pasojë, nevojitet një fushatë e madhe mediatike për ngritjen e kësaj vetëdijeje- theksohet në Komisioni Antikorrupsion.
Ligji për mbrojtjen e informatorëve filloi të zbatohet nga marsi i vitit 2016. Ai parashikon mbrojtjen e personave që denoncojnë korrupsionin apo ndonjë vepër tjetër jo ligjore me të cilën rrezikohet interesi publik. Informatori gëzon të drejtën e mbrojtjes së anonimitetit por edhe të sigurisë së tij. Përveçse në kompanitë dhe institucionet ku punojnë, qytetarët mund të bëjnë edhe denoncim të jashtëm në Komisionin Anti-korrupsion, në Prokurorinë Publike, zyrën e Avokatit të Popullit si dhe publikisht përmes mediave.
Mirko Trajnovski

