Qendra për Kurajo Politike (CPC) ka organizuar tryezë lidhur me integritetin akademik në arsimin e lartë në Kosovë, me theks të veçantë në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë takim u tha se Universitetit të Prishtinës i mungon integriteti sa i përket vlerësimeve, avancimeve dhe në përgjithësi funksionimet e tij.
Adem Beha nga organizata “Centre of Political Coura”, tha se në këtë raport hulumtues kanë evidentuar shumë mangësi dhe probleme me të cilat po ballafaqohet UP-ja.
“Problemet ne UP deri me tani janë trajtuar vetëm në nivel të simptomave dhe jo në nivel të shkaqeve dhe pasojave. Dhe për këtë kemi nxjerr disa rekomandime si hartimi i statutit të ri dhe rishikimi i kodit të etikes dhe rregulloren për masa dhe procedura disiplinore”, tha ai.
Profesori nga Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu hapi debatin mbi integritetin akademik në Universitetin e Prishtinës.
Tha se politika po i bën dëme të mëdha arsimit të lartë.
“Çështja e cilësisë, integritetit ka dy mundësi se si me pa këtë aktivitet. Kjo vetëm po kritikohet nuk po cilësohet. Politika shpesh ka bërë dëme, por nëse ju ofron autonominë UP-së atëherë është pozitive”, tha Arben Hajrullahu.
Në këtë tryezë po ashtu u tha se qëllimi parësor i tryezës është prezantimi i publikimit “Dialog mes te shurdhërve” – mbi integritetin akademik në Universitetin e Prishtinës.
Në hulumtim u evidentuan një varg problemesh që lidhen me ndershmërinë akademike, plagjiaturën, avancimet dhe çështje të tjera përkitazi me etikën dhe integritetin në UP e përtej.
Në hulumtim po ashtu u radhiten një sërë rekomandimesh për hisedarët e arsimit të lartë në Kosovë.
Në bazë të diskutimeve në tryezë, CPC më pas do të hartojë një dokument avokues ku gjetjet kryesore të hulumtimit do të gërshetohen me diskutimet e zhvilluara në këtë tryezë.




