Detaje të reja kanë dalë nga hetimet lidhur me atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati në Sarandë. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me dhunimin e oficerit të policisë Mihal Velço, ngjarje që ndodhi një ditë përpara sulmit.
Hetuesit dyshojnë se autorët, të cilët mbanin maska dhe skafandra për të fshehur identitetin, janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të zonës së plazheve, në fund të rrugës “Mithat Hoxha”. Dyshimet janë se më pas ata kanë përdorur një skaf për t’u larguar nga zona.
Policia ka zhvilluar kontrolle intensive gjatë gjithë natës, ndërsa operacioni për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar vijon.
Ndërkohë, Thimjo Rubati është dërguar në spitalin e Janinës për trajtim më të specializuar. Fillimisht ai mori ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, ku iu administrua edhe gjak.
Burimet bëjnë me dije se 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas atentatit, por në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk ka arritur t’i njohë personat që e qëlluan.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.



