Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim të kufizuar në reformat në drejtësi, ndërsa presionet politike ndaj gjyqësorit, përpjekjet për të ndikuar te gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe besimi i ulët i qytetarëve, mbeten ndër problemet më serioze, paralajmëron Komisioni Evropian në Raportin më të fundit për sundimin e ligjit.
Në dokument vlerësohet se kuadri ligjor është kryesisht në përputhje me standardet evropiane, por zbatimi i tij vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Pavarësia e gjyqësorit mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve politike dhe institucionale.
Sipas Komisionit Evropian, gjyqtarët dhe prokurorët publikë vazhdojnë të raportojnë presione të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, veçanërisht në rastet me interes të lartë publik dhe politik. Komentet dhe kritikat publike të politikanëve dhe bartësve të funksioneve publike ndaj vendimeve gjyqësore e dëmtojnë edhe më tej perceptimin për pavarësinë e gjyqësorit.
Komisioni vëren se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë vazhdojnë të përballen me kritika për mënyrën e funksionimit, transparencën dhe menaxhimin. Për këtë arsye, besimi i qytetarëve ndaj këtyre institucioneve mbetet i ulët.
Edhe pse janë ndërmarrë disa hapa për përmirësimin e punës së tyre, Brukseli vlerëson se nevojiten masa shtesë për forcimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe integritetit profesional të këtyre institucioneve.
Në raport theksohet edhe nevoja për procedura disiplinore më efikase, të bazuara në kritere të qarta dhe objektive, pa mundësi që ato të keqpërdoren si mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Komisioni Evropian kërkon që avancimi në karrierë, vlerësimi dhe përzgjedhja e bartësve të funksioneve gjyqësore të bazohen plotësisht në sistemin e meritës dhe në kritere profesionale.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe besimit të ulët të qytetarëve ndaj gjyqësorit. Si shkaqe kryesore përmenden perceptimi për ndikim politik, joefikasiteti i procedurave gjyqësore dhe mungesa e përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë.
Brukseli vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me reformat që do të sigurojnë pavarësi praktike dhe jo vetëm formale të gjyqësorit, të forcojë mekanizmat kundër ndërhyrjeve politike dhe të përmirësojë punën e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Vetëm me zbatimin e vazhdueshëm të këtyre rekomandimeve mund të forcohet sundimi i ligjit dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, thuhet në raport.



