Me fokus në të ardhmen e tregtisë, ndryshimet në zakonet e konsumatorëve dhe mundësitë që hapin teknologjitë e reja, dje, më 29 tetor, në hotelin “Aleksandar Palas” në Shkup u mbajt Samiti i 12-të FMCG, në organizim të revistës InStore dhe agjencisë “Kliker Marketing”. Ngjarja i kushtohet lidhjes dhe shkëmbimit të njohurive mes prodhuesve, tregtarëve, distributorëve dhe profesionistëve të sektorit të mallrave të konsumit të gjerë.
Edicioni i këtij viti ofroi një program të fokusuar në çështjet që formësojnë punën e përditshme të kompanive: si të njihen mundësitë e reja për rritje, si të shndërrohet strategjia në rezultate konkrete dhe si të mbeten brendet relevante në kushtet e një konkurrence gjithnjë më të fortë. Në agjendë ishin të përfshira analiza të tregtisë me pakicë evropiane, zhvillimi i tregut vendas, strategjitë komerciale dhe roli i ri i marketingut në krijimin e vlerës biznesore.
Mes ekspertëve të përfshirë në program ishin Boris Planer, ambasador i Kongresit Botëror të Tregtisë me Pakicë, prof. dr. Andrej Vizjak, Ray Gaul, Nenad Nikollovski, Igor Jokiq, Millica Zhivadinoviq, Lazar Gjurov, Poleksena Jankullovska dhe Ognen Ognenoski. Temat e tyre të paralajmëruara ndërlidhnin përvojat ndërkombëtare me sfidat e kompanive në tregun maqedonas dhe atë rajonal.
Një segment i rëndësishëm ishte edhe çështja se a nënkupton gjithmonë zgjedhja më e madhe e produkteve shitje më të madhe. Paneli “Kur shumë bëhet tepër?” në program ndërlidhi temat e menaxhimit të asortimentit, rentabilitetin e inovacioneve dhe konkurrencën nga markat private të tregtisë. Panelistë ishin Jovanka Trajkova nga “Reptil”, Aleksandar Bozhinovski nga “Atlantic Group” dhe Katerina Teovska nga “Pivara Shkup”, me moderatoren Alma Rastoder, redaktore e InStore.
Me një ndërthurje të edukimit, analizave të tregut dhe hapësirës për lidhje biznesore, Samiti FMCG vazhdon traditën e tij dymbëdhjetëvjeçare si vend për shkëmbim përvojash dhe hapje perspektivash të reja për industrinë. Në qendër të këtij koncepti janë dija, bashkëpunimi dhe aftësia e kompanive për t’iu përgjigjur në kohë ndryshimeve të tregut.



