Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Dibër ka reaguar lidhur me problemin e ngrohjes në shkollat e qytetit, duke ngritur shqetësimin se nxënësit po zhvillojnë mësimin në ambiente të ftohta.
Sipas reagimit të BDI-së, ndonëse sezoni i ngrohjes ka nisur më 15 tetor, ngrohja në shkolla aktivizohet vetëm për një orë në ditë dhe më pas ndërpritet, duke i lënë klasat pa ngrohje gjatë pjesës tjetër të orarit mësimor.
Nga BDI theksojnë se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në kushtet e nxënësve dhe shëndetin e tyre, ndërsa bëjnë një krahasim me zyrën e kryetarit të Komunës, e cila, sipas tyre, ngrohet me kondicionerë.
BDI kërkon përgjegjësi nga kryetari i Komunës dhe drejtorët e shkollave, duke ngritur dy pyetje kryesore: nëse shkollat janë furnizuar me naftë dhe lëndë djegëse, si dhe pse nxënësit detyrohen të qëndrojnë në ambiente të ftohta gjatë mësimit.
Në fund, BDI apelon që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente për sigurimin e furnizimit dhe funksionimin normal të ngrohjes në të gjitha shkollat e Dibrës.



