Gjatë konferencës për shtyp në selinë e Federatës Braziliane të Futbollit, Carlo Ancelotti u pyet për kritikat e Laportës dhe vendimin për ta grumbulluar sërish Raphinhan.
Fillimisht, trajneri italian theksoi se marrëdhëniet mes federatës braziliane dhe klubeve janë të mira.
“Ne mbajmë marrëdhënie të mira me klubet braziliane dhe evropiane. Shkëmbejmë informacione me to për gjendjen e futbollistëve dhe, në përgjithësi, bashkëpunimi është pozitiv”, deklaroi Ancelotti.
Megjithatë, ai sqaroi se nuk kishte marrë asnjë kërkesë të veçantë nga Barcelona apo nga ndonjë klub tjetër lidhur me grumbullimin e nëntorit.
“Nuk kemi kërkesa të veçanta dhe as nuk kemi nevojë për to. Gjatë periudhave të ndeshjeve ndërkombëtare do të ftojmë futbollistët që i konsiderojmë të rëndësishëm për kombëtaren e Brazilit”, u shpreh trajneri italian.
Me këtë deklaratë, Ancelotti bëri të qartë se nuk synon të ndryshojë planet e tij për shkak të pakënaqësive të drejtuesve të Barcelonës.



