Zëvendëskryeministri në dorëheqje dhe një prej figurave të rëndësishme të PDK’së, Enver Hoxhaj, e ka quajtur Ramush Haradinajn si një kryeministër i cili ka qenë i paaftë të marrë vendime në interes të qytetare, shkruan Gazeta Express.
Pas caktimit të 22 gushtit si datë për shpërbërjen e Kuvendit, Hoxhaj ka thënë se një gjë të tillë e ka mundësuar iniciativa e Kadri Veselit.
“Karshi paaftësive të qeverive dhe kryeministrave për të marrë vendime për interesin e qytetarëve dhe përpjekjeve politike ditore për të blerë kohë, PDK është partia që ka ditur të reagojë dhe veprojë për t’i dhënë drejtim tejkalimit të krizave. Sot me kërkesën kryetarit të Kuvendit, që është edhe kryetar i PDK-së, u arrit të caktohet data e seancës për shpërbërjen e Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar dhe të gjitha vendimet tona do të jenë në shërbim të interesave të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj, raporton Gazeta Express.
Caktimi i datës për shpërndarjen e Kuvendit është bërë sot pas mbeldhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Nga PDK’ja kanë thënë se presidenti duhet të caktojë sa më parë datën e zgjedhjeve të reja, ndërkohë nga NISMA kanë thënë se koha optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit.
Kjo mbledhje e kryesisë së Kuvendit ka ardhur pas përgjigjes negative që Kadri Veseli i ka kthyer presidentit Hashim Thaçi, rreth propozimit për mandatar, në përpjekjen për arnimin e qeverisë./GazetaExpress/



