02 Dhjetor
Heshtje në VMRO-DPMNE pas paralajmërimit të Nikolla Gruevski se pas thuajse 15 viteve planifikon të tërhiqet nga posti i liderit të partisë. Sipas informatave të Alsat M, seanca e Komitetit ekzekutiv, në të cilin do të bisedohet për këto çështje është caktuar për të hënën. Nga partia nuk ka konfirmim zyrtar të këtij informacioni. Jove Kekenovski, i cili para dy vitesh e gjysmë ishte përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja për shkak të kritikave ndaj politikave të partisë, konsideron se Gruevski në këtë seancë duhet të sqarojë se kush i ka paramenduar, porositur dhe financuar zhvillimet e 27 prillit.
Që moti bëhet fjalë për një lider partia që është jo-kredibil. Se sa është autoriteti i tij te anëtarësia u pa pikërisht pas këtyre protestave kur prej anëtarësisë disa mijëshe në Maqedoni të VMRO-DPMNE-së, fjalën e tij nuk e dëgjuan as 200 njerëz që është edhe një dëshmi se populli është vetëdijesuar në raport me manipulimet dhe gënjeshtrat e tij, që fatkeqësisht me sukses i plasonte deri tani- deklaroi analisti politik Jove Kekenovski.
Në Statutin e VMRO-DPMNE-së nuk është parashikuar se si të veprohet nëse kryetari i partisë jep dorëheqje. Komiteti qendror, që është organi më i lartë mes dy kongreseve, ka të drejtë t’i shkarkojë nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm ose anëtarët e komitetit ekzekutiv, por jo edhe njeriun e parë të partisë. Kjo lë një mundësi të hapur që dorëheqja e Gruevskit të jetë e refuzuar.
Kongres të jashtëzakonshëm, në të cilin do të zgjidhej pasardhësi i Gruevskit, duhet të kërkojnë gjysma e anëtarëve të Komitetit Qendror. Kekenovski nuk përjashton mundësinë që kjo të jetë, siç shprehet, edhe një lojë e Gruevskit për të blerë kohë.
Në një situatë të këtillë, ai do të tentojë që në derë të vogël të fusë ndoshta përkohësisht ndonjë njeri për lider të partisë, të cilin do të tentojë ta kontrollojë nga prapavija dhe në njëfarë mënyre t’i zbatojë të gjitha vendimet e tij që i ka paramenduar. Mirëpo unë jam i sigurt se këtë nuk do ta lejojë anëtarësia- theksoi Jove Kekenovski.
Deri në fund të mandatit aktual të Gruevskit në postin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së ka edhe një vit e gjysmë. Prej vitit 2003, katër herë është zgjedhur lider i partisë. Në Kongresin e fundit, në maj të vitit 2015, Gruevski ishte kandidati i vetëm për kryetar. Prej 529 delegatëve që votuan në Kongres, 528 e rrethuan emrin e tij, ndërsa një fletë ishte shpallur e pavlefshme.
Mirko Trajanovski

