VMRO DPMNE-ja vazhdon me avazin e fjalimeve procedurale dhe replikave për shkarkimin e Marko Zvërlevskit, por për Zvërlevskin nuk flitet thuajse aspak. I gjithë fokusi i debatit mes deputetëve të VMRO DPMNE-së ishte te punësimet që i quajtën partiake të Qeverisë dhe largimin nga puna të njerëzve profesionist sipas tyre, vetëm sepse i kanë etiketuar si bashkëpunëtor të regjimit. Deputëtet e VMRO-së gjetën kohë që të debatojnë mes vete edhe për tendencën për ta politizuar gjyqësorin dhe për borxhin që planifikon ta marrë Qeveria, për ndotjen e ajrit, por edhe për ndihmën që planifikohet tu ofrohet emigrantëve. Deputetët e VMRO-së ishin të vetmit që kishin rezervuar pjesën më të madhe të seancës për fjalime, por Zvërlevski ishte temë anësore që ndonjëherë, ndonjë prej deputetëve e fillonte.
VMRO DPMNE-ja insiston përsëri që kryeprokurori i ri duhet të propozohet nga opozita, por pas zgjedhjeve lokale, ndërsa Tuntev thotë se shkarkimi është ligjor pasi Zvërlevski nuk do të largohet nga puna, vetëm do të largohet nga funksioni i kryeprokurorit.
TOMISLLAV TUNTEV, LSDM
“Neni i cituar 8 a nga Kodi Zgjedhor…nuk mund të zbatohet në këtë procedurë, pasi ne nuk po flasim për nxjerrje nga puna të Zvrlevskit. Ne këtu po flasim për këtë funksionar publik që është emëruar nga Kuvendi. Atij nuk do ti ndërpritet marrëdhënia e punës, por ai më nuk do të jetë kryeprokuror publik”
Deputeti i BDI-së Ejup Alimi kërkoi nga VMRO-ja që të tërhiqet nga debati i panevojshëm për tema të tjera që nuk lidhen me Marko Zvërlevskin, por ai vetë foli për një temë krejt tjetër. Alimi kërkoi përgjegjësi përse nuk ka patur dhe nuk ka ndarje të barabartë të buxhetit në mënyrë që shqiptarët të mos diskriminohen ekonomikisht, edhe pse vjen nga një parti që tashmë 9 vite është në pushtet dhe ka votuar po aq buxhete dhe rishikime.
EJUP ALIMI, BDI
“Në rend dite është Zvrlevski, ju bisedoni për deponinë e Tetovë a fajtor ndoshta kanë qenë pushtetet e kaluara që asnjëherë nuk është shikuar të invesohet në mënyrë të barabartë në gjithë zonat ku jetojnë qytetarët e Maqedonisë…Ka patur mundësi pushteti edhe para vitit 2000, edhe para viteve të 90-ta por edhe pas këtyre viteve që të invesohet në mënyrë të barabartë”
Mirëpo, Ilija Dimovski ia kujtoi Alimit se partia e tij është fajtore për shumë probleme zhvillimore me të cilat ballafaqohen vendbanimet shqiptare. Ferikan Iljazi Arifi

