“Zoran Zaevi është sjellë në pushtet që ta zgjidhë çështjen lidhur me emrin ashtu siç dëshiron Greqia, dhe pritet të përfundojnë zgjedhjet lokale që të fillojnë negociatat. Operacioni i plotë për ndryshimin e Qeverisë është bërë për zgjidhjen e çështjes së emrit sipas modelit të Athinës”. Këtë në intervistën për televizionin Sitel e deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, kundrejt deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit Zoran Zaev pas kthimit nga Nju-Jorku se nuk është i gatshëm të negociojë për çështje të identitetit.
“Këtë e dinë tashmë të gjithë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjithë Evropën. Pritet vetëm të përfundojnë zgjedhjet lokale dhe të fillojnë negociatat konkrete”, tha Gruevski. Sipas tij, askush nuk beson se në takimin me ministrin grek të Punëve të Jashtme Nikos Koxias, është biseduar për masa për ndërtimin e besimit, por për çështje të identitetit. Në kontekst të zgjedhjeve lokale, Gruevski tha se nuk pret të jenë zgjedhje korrekte, se frikësohen kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe se procedurat e fundit kanë treguar se policia do të vihet në shërbim partiak dhe për fushatë. Gruevski, gjithashtu paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale partia e tij do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

