Kompanitë gjermane e shohin vendin si mundësi të mirë për investim, por jo edhe si vend adekuat për transferimin e prodhimtarisë së tyre nga ato vende të cilat janë të pasigurta për shkak të konfliktit rus-ukrainas. Megjithatë, ende kanë vërejtje për procedurat jo aq të shpejta burokratike.
Siç tha sot u.d. ambasadori i Gjermanisë, Oto Graf, secili që udhëheq biznes dhe prodhon, ka interes që procedurat të jenë më efikase. Ai vend që do ta ofrojë këtë, do t’i tërheqë investitorët.
“Shpresojmë se Maqedonia e Veriut do të thjeshtojë dhe përshpejtojë të gjitha procedurat. Për të gjitha kompanitë gjermane këtu, Maqedonia e Veriut është vend i shkëlqyer për prodhim. Agresioni rus bëri që prodhimi të zhvendosej diku tjetër. Maqedonia e Veriut është vend i preferuar për transferimin e prodhimit dhe një nga arsyet është se është anëtare e NATO-s dhe ka avantazh të caktuar në aspektin e sigurisë”, tha Graf pas takimit të delegacionit të biznesit gjerman me zëvendëskryeministrin Fatmir Bytyqi në Qeveri.
Në lidhje me nevojën për fuqi punëtore, u.d. ambasadori theksoi se të gjithë duhet të japin kontribut – Qeveria, institucionet arsimore dhe ndërmarrjet gjermane.
“Nëse doni të prodhoni diçka ose të jeni aktivë, mund të shihni çka ka në treg ose ta merrni përgjegjësinë dhe kjo është ajo që bëjnë firmat gjermane – e mbështesin arsimin profesional dual, nuk presin numër të mjaftueshëm të fuqisë punëtore, por vetë kontribuojnë në atë drejtim që të sigurohen se do të ketë kuadër mjaftueshëm të kualifikuar edhe në të ardhmen”, nënvizoi Graf.