Zgjedhja e kryprokurorit shtetëror është në fazë përfundimtare, respektivisht ai duhet të votohet nga Kuvendi i Maqedonisë. Mirëpo, Lubomir Joveski, emrin e të cilit Qeveria ia ka propozuar Kuvendit për ta emëruar si prokuror të ri shtetëror, nuk është emër i ri dhe i panjophur për opinion vendor e veçanërisht për shqiptarët.
Emri i tij figuron në një nga ngjarjet më të rënda dhe të parat në Maqedoninë e pavarur ku kanë pësuar shqiptarët. Lubomir Joveski ka qenë gjykatësi kryesor në procesin gjyqësor për “aferën e armëve” në të cilën shumë shqiptarë, përfshirë edhe figura të larta politike të Partisë për Prosperitet Demokratik përfunduar në burgje, ndërsa një nga të arrestuarit edhe ka humbur jetën nga maltretimet dhe rrahjet e policisë së asaj kohe. Emri i Joveskit qëndron në dokumentet zyrtare gjyqësore nga ai proces i cili për më shumë se 25 vjet ende ka ngelur pa u zbardhur.
Në atë kohë, policia arrestoi dhjetëra aktivistë dhe funksionarë të PPD-së, por edhe drejtues qeveritar si zëvendësministri i mbrojtjes Hysen Haskaj i cili kishte 3 muaj që kishte marrë funksionin, Mitat Emini zyrtar i lartë i PPD-së, si dhe shumë funksionarë të tjerë. Tek shqiptarët ky rast mbeti i njohur si “afera e armëve” ndërsa maqedonasit e quanin “forca paraushtarake”. /SHENJA/

