Gjykata Kushtetuese sot e shfuqizoi Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë të Shkupit, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars të vitit 2024.
“Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.
Vendimi i Qeverisë për lejimin e aktiviteteve me përmbajtje fetare në shkollat e mesme është shpallur i papajtueshëm me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Sipas Gjykatës, ky vendim bie në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Mesëm, i cili ndalon qartësisht organizimin e aktiviteteve fetare dhe shfaqjen e simboleve fetare në institucionet arsimore të mesme.
Në njoftimin zyrtar theksohet gjithashtu se përmbajtja e vendimit nuk është në harmoni me Amendamentin VII të Kushtetutës, i cili parasheh që bashkësitë fetare mund të themelojnë vetëm shkolla fetare ku zhvillohet edukim fetar dhe mësohet një fe specifike.
Gjykata vlerësoi si të bazuara pretendimet në nismë, duke konstatuar se me miratimin e vendimit të kontestuar, Qeveria ka shkelur parimin kushtetues të ndarjes së shtetit nga religjioni.