Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të ndaluarit për vrasjen e ish-deputetit Pashk Ujka.
Kristian Kelmendi dhe Marjan Kola kanë kërkuar lirimin, por gjykata ka vendosur që hetimet të vazhdojnë duke mbajtur të rinjtë në burg.
Mësohet se gjykata ka kërkuar provat filmike të poligonit të qitjes në Kosovë, nga ku familjarët pretendojnë se kanë qenë dy të ndaluarit në momentin që ka ndodhur atentati.
Ndërkohë familjarët e Marjan Kolës, i ati Dedë Kola dhe vëllai Petrit Kola, kanë folur për mediat vetëm pak minuta para se të fillonte seanca gjyqësore. Ata thanë për gazetarët se dy të dyshuarit për vrasjen e ish-deputetit në Shkodër në momentin e ngjarjes, kanë qenë në Kosovë.
“I keni kamerat, i ka sekuestruar shteti, dje isha në Kosovë dhe bëra kallëzim për këtë punë. I ka në dispozicion pamjet vetëm se nuk e kanë shqyrtuar çështjen unë dua drejtësi, jemi të zhgënjyer nga autoritetet“, tha ai.
Ata kanë treguar edhe fletëregjistrimet në poligonin e qitjes në Kosovë, ku familjarët pretendojnë se kanë qenë të rinjtë në momentin e ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së hënës, në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë kishës Ortodokse dhe universitetit. Viktima kishte dalë për të bërë një shëtitje me bashkëshorten në momentin që një person i është afruar duke e qëlluar me armë zjarri pas shpine.
Atentati duket se ka qenë i mirëmenduar pasi autori ka shfrytëzuar errësirën në lulishte dhe ka përdorur armë me silenciator.