Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) pasdite bëri të ditur se, në kuadër të hetimit për transportin e organizuar të marihuanës nga vendi në Serbi, është lëshuar urdhër për të zhvilluar procedurë kundër shtatë personave të tjerë, të dyshuar për kryerjen e të njëjtit krim “prodhim dhe qarkullim të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve sipas nenit 215, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal”.
PTH NKOK njoftoi gjithashtu se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka lëshuar dy vendime bazuar në propozim-marrëveshjet e lidhura me dy të dyshuar të cilët pranuan se kanë kryer vepër penale për të cilin akuzohen dhe janë dënuar me dënime me burg prej tre vjet e gjashtë muajsh, gjegjësisht tre vjet e tetë muaj.
Prokuroria njofton se pronarët e kompanisë kanë organizuar transportimin e marihuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi, duke përdorur automjete transportuese dhe dokumente doganore që tregonin se po transportoheshin mallra të zakonshme.
Droga fshihej mes produkteve ushqimore, tekstilit, jastëkëve dhe jorganëve, ndërsa automjetet drejtoheshin drejt pikës kufitare në Tabanoc.
Pas hyrjes në Serbi, marihuana magazinohej në zonën e Konjuhut pranë Krushevcit, ku ripaketohej dhe përgatitej për shitje të mëtejshme.
Sipas provave të deritanishme, e njëjta skemë është përdorur në të paktën pesë raste të ndryshme të transportimit të drogës.
Më 21 korrik 2026, Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë kundër gjashtë anëtarëve të grupit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dy të dyshuar kanë pranuar fajësinë.
Gjykata Themelore Penale në Shkup i dënoi ata me burg prej tre vjetësh e gjashtë muajsh dhe tre vjetësh e tetë muajsh.
MARKETING


