Gjykata Administrative informoi se deri sot paradite janë parashtruar 16 padi prej partive politike për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në komunikatën e Gjykatës Administrative të nënshkruar nga kryetari i gjykatës thuhet se 11 padi janë dorëzuar nga Aleanca për Shqiptarët, katër nga Lëvizja Besa dhe një nga Lëvizja Popullore e Maqedonisë. Gjykata Administrative obligohet të sjellë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të tyre.
Paditë e partive politike tek Gjykata Administrative, vijnë pasi komisioni Shtetëror i zgjedhjee ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e partive politike lidhur me parregullësitë që kanë hasur në procesin zgjedhor gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 29 tetor.
Partitë politike, kanë dorëzuar gjithësej 103 ankesa deri tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Lëvizja BESA ka dorëzuar 89 ankesa, 86 për Komunën e Çairit dhe tre për Komunën e Tetovës, Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar 13 ankesa për Komunën e Strugës dhe Lëvizja Popullore e Maqedonisë ka dorëzuar vetëm një ankesë për votimet në Çashkë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë të gjitha ankesat duke I cilësuar ato si të pabaza. Gjatë procesit të shqyrtimit publik, Lëvizja BESA ka tërhequr njërën prej ankesave.
Kujtojmë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve, në balotazhë kanë shkuar 35 komuna, duke përfshirë këtu të thuajse të gjitha partitë shqiptare. Ajnur Bafqari /SHENJA/

