Gjorgjiev: Komisioni e di saktësisht se çfarë është përcaktuar, ku duhet të ndalet dhe për çfarë të debatohet
Dragi Gjorgiev, bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore me Bullgarinë, në një intervistë për REL deklaroi se ka dinamikë të re në punën e komisionit, por që kjo nuk garanton sukses.
“Entuziazmi i ri është më së shumti për shkak të dinamikës së punës së Komisionit. Unë shoh se ndoshta mund të ndihmojmë dhe se si do të shkojnë gjërat në negociatat brenda vetë komisionit ajo është çështje tjetër”, tha Gjorgjiev.
Dallimet për historinë dhe çështjet e identitetit po diskutohen në kuadër të njërit nga pesë grupet që dy qeveritë kanë formuar me synimin që brenda gjashtë muajve të ketë rezultate, që mund të çojnë në heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Sofja kërkon nga Shkupi që t’i njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.
Pikërisht kjo këmbëngulje e palës bullgare, sipas historianit Dragi Gjeorgiev, mund të dështojë gjithë procesin e bisedimeve.
Ai thotë se gjërat janë acaruar pasi dy vendet kishin miratuar rezoluta në parlamentet e tyre mbi ato që njihen si “vijat e kuqe”. Kjo, thotë Gjeorgiev, ka bërë që komisioni të ngecin në punën e tij pasi rezolutat thonë se nuk do të pranojnë asgjë që rrënon pozicionet e tyre, të palës bullgare që konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe të palës maqedonase që refuzon çdo debat mbi këto çështje.
“Kjo ndihet pasi që atëherë puna e komisionit nis të ngecë, madje edhe të shënojë kthim pasi pozicionet e forta të dy vendeve pamundësuan që të lëvizim para. Por, ne duhet të vazhdojmë të bisedojmë pasi qëllimi ynë është fillimi bisedimeve të anëtarësimit evropian. S’kemi zgjidhje tjetër, por dialogu duhet të jetë i barabartë, përndryshe vështirë të arrijmë ndonjë rezultat”, thotë Gjeorgiev.
Ai thotë se deri tani thuajse nuk është arritur asgjë përveç marrëveshjes për kremtimin e përbashkët të disa personaliteteve historike, për të cilët të dyja vendet pretendojnë prejardhjen e tyre etnike, siç është edhe Goce Dellçevi.
“Por, kjo nuk nënkupton zgjidhjen e kontestit historik mes dy vendeve, apo historianëve bullgarë dhe maqedonas. Debati për identitetin e Goce Dellçevit do të vazhdojë. Në marrëveshjen për fqinjësi të mirë që kanë arritur dy vendet flitet edhe për historinë e përbashkët, por pala bullgare insiston se këtu bëhet fjalë për historinë e një popullit, pra të bullgarëve, edhe pse marrëveshje kështu nuk e definon. Ata popullin maqedonas e llogarisin që nga vitit 1945, para kësaj periudhe flasin për një popull të vetëm, pra popullin bullgar. Kjo absolutisht është e pavërtetë dhe e papranueshme”, thotë Gjeorgiev.
I pyetur për çështjet që shpesh shkaktojnë polemika, përfshirë pushtuesin fashist, Gjorgiev tha se sipas tij, Bullgarinë nuk mund ta përkufizojmë si vend klasik fashist, siç mund të thuhet për Italinë e atëhershme fashiste apo Gjermaninë naziste.