31 October
Pavarësisht humbjes në vendlindjet e tyre, Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe Billall Kasami iLëvizjes Besa, ndihen fitues. Shefat e Shtabeve të këtyre partive, në emisionin 200 në ALSAT thanë se partitë e ndajnë këtë përshtypje vetëm falë rangimit në mes votuesve shqiptarë, ndërsa mbrohen duke thënë se votat që morën, ishin sukses duke marrë në konsideratë ndërhyrjen e pushtetit qendror në garën lokale. Afrim Gashi nga Lëvizja Besa megjithatë tha se partia e tij do të analizojë rezultatet e zgjedhjeve duke e lënë të hapur mundësinë e largimit të liderit të parties.
Po, do të shqyrtohet kjo. Te ne nuk ka liderë të përjetshëm. Te ne janë vlerat të përjetshme. Ideja është e përjetshme dhe jemi të bindur se për këtë ia vlen të jetohet, madje edhe të vdiset – tha Afrim Gashi, Lëvizja Besa.
Por nga Aleanca për Shqiptarët lanë të kuptojnë se një gjë e tillë, as që vihet në diskutim për liderin e tyre, Sela.
Gazetari: Nuk diskutohet dorëheqja e Ziadin Selës?
S’ka kuptim pyetja – u përgjigj Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.
Lidhur me bashkëpunimin në të ardhmen të këtyre dy partive, shefet e shtabeve nuk dhanë përgjigje konkrete. Megjithatë nga Aleanca për Shqiptarët theksuan për Alsat se sipas të gjitha gjasave, kjo parti do të jenë në koalicion me Besën edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen ato. Edhe Lëvizja Besa shpreson se koalicioni nuk do të ndërpritet, bazuar në ecurinë korrekte të koalicionit që funksionoi në raundin e dytë zgjedhor.
Anesa Aliti

