Alsat 2019-04-25T15:19:59+02:00
Funksionarët për të cilët antikorupsioni kërkoi procedurë për kundërvajtje, aspak nuk u shqetësuan. Secili prej tyre i interpreton në mënyrën e vet gjetjet e theksuara dhe dyshimet e anëtarëve të anti-korrupsionit, për ndikim gjatë punësimit të të afërmve të tyre. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dyshimet e Komisionit për ndikimin e tij në kompanitë e energjisë në vend i komenton si një mosinformim. Ai argumenton se me ligjin e ri të energjetikës, nga mesi i vitit të kaluar për kompanitë shtetërore energjetike, kompetente ishte ministria e transportit dhe jo ajo e ekonomisë. Fakti që motra e tij ka theksuar se jeton në të njëjtën adresë me të, sipas ministrit ka qenë gabim.
Për punësimin në kompanitë shtetërore të të afërmve të sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, për të cilët Komisioni kundër korrupsionit theksoi se kishte ndikim të tij, ai konsideron se nuk kishte asgjë të bëjë me nepotizmin, por njoftoi tërheqjen e tyre.
Nga vendi i punës që nuk ka asnjë lidhje me nepotizmin tërhiqen motra ime dhe e ëma, e gruas sime. Me vullnetin e tyre, si vendim personal”-tha
Aleskandar Kiracovski, LSDM.
Zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, thotë se sapo u shfaqën reagimet publike ndaj punësimit të nënës së tij në Regjistrin Qendror në Strumicë, ajo hoqi dorë nga puna. Kostadinov u bëri thirrje anëtarëve të anti-korrupsionit të punojnë në rastet që përfshijnë punësimin e të afërmve të zyrtarëve nga qeveria e mëparshme.
Në rastin tim gjithçka është e pastër. Unë kurrë nuk kam ndikuar në vendimin e punësimit të nënës sime. Ajo menjëherë dha dorëheqjen për arsye etike”-pohoi Kostadin Kostadinov, LSDM.
Procedurat kundërvajtëse, të cilat anti-korrupsioni i drejtoi në Vilën Vodno për avancimin e dy personave ushtarak nga Presidenti Gjorge Ivanov, kategorikisht u hodhën poshtë. Në reagimin me shkrim nga zyra e tij thonë se gjithçka ishte sipas ligjit.
Si komandant suprem, Presidenti i Republikës së Maqedonisë nuk ka detyrim të kërkojë autorizime për kompetencat e përcaktuara me ligj. KSHPK në shpjegim i referohet Ligjit për Shërbimin në Armatën e Republikës së Maqedonisë. Ky ligj përcakton procedurën e avancimit deri në gradën e kolonelit, dhe jo në gjeneral, që është kompetencë e Presidentit të Republikës së Maqedonisë në pajtim me Ligjin për Mbrojtje”-tha Gjorge Ivanov, president.
Nga të gjithë funksionarët me të cilët Alsat u përpoq të kontaktojë, përgjigje nuk morëm vetëm nga deputetja e LSDM-së, Mira Stojçevska. Informacionet thonë se për punësimin e djalit të saj në ELEM kanë shpikur një punë të re, sipas kualifikimeve të tij. Nga ELEM, i cili është vendi më i preferuar për punësimin e të afërmve të funksionarëve, shkurtimisht u përgjigjën se drejtori është në udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara dhe se së shpejti do të kenë një përgjigje zyrtare. Kryeministri Zoran Zaev edhe një herë u kërkoi të gjithë të afërmve të funksionarëve të heqin dorë nga punësimet në ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore.
Ile Petreski
Loading…



