Strumica është pika më e re kyçe në hartën e investimeve të Lidl-it në vend. Me vendosjen e gurthemelit sot, kompania zyrtarisht filloi ndërtimin e marketit të ri, i cili jo vetëm që do ta zgjerojë rrjetin e shitjes, por do të sjellë edhe një shtysë të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale.
Ky investim është pjesë e zhvillimit strategjik të Lidl në Maqedoninë e Veriut, i orientuar drejt krijimit të vendeve të reja të punës, mbështetjes së prodhimit vendor dhe vendosjes së standardeve më moderne të shitjes me pakicë.
Para të pranishmëve dhe përfaqësuesve të komunitetit lokal, drejtori operativ i Lidl Maqedoni, Rubrijan Haxhiev, theksoi se ky projekt është simbol i përkushtimit afatgjatë të kompanisë ndaj tregut maqedonas.
Ai deklaroi se deri tani Lidl ka investuar mbi 200 milionë euro në infrastrukturë moderne logjistike dhe shitëse, duke ndërtuar një sistem që sjell vlerë për të gjithë. Sipas tij, çdo market i ri hap mundësi të reja për punësim dhe krijon ura për furnitorët lokalë drejt rrjetit të gjerë të kompanisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se investime të tilla janë sinjal i qartë për klimën e përmirësuar të biznesit dhe besimin e investitorëve të huaj.
Ai theksoi se ardhja e një marke globale si Lidl është shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.
Kryetari i komunës së Strumicës, Petar Jankov, shprehu kënaqësinë që një markë botërore si Lidl e ka njohur potencialin ekonomik dhe frymën sipërmarrëse të rajonit.
Ndërsa drejtori për pasuri të paluajtshme i Lidl për Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, Biser Inçovski, theksoi se objekti i ri do të ndërtohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për efikasitet energjetik dhe qëndrueshmëri.
Fakte kryesore për marketin e ri në Strumicë:
- Sipërfaqja totale: 2,445 m²
- Hapësira e shitjes: 1,500 m²
- Vende parkimi: 111 vende parkimi për qasje më të lehtë dhe komoditet gjatë blerjeve.
- 20% gjelbërim brenda parcelës
- Efikasiteti energjetike: Objekti po ndërtohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për efiçencë energjetike dhe qëndrueshmëri, me zbatimin e zgjidhjeve moderne teknologjike për mbrojtjen e mjedisit.
Në përgatitje për hapjen e marketeve në gjithë vendin, Lidl Maqedonia e Veriut po zhvillon një fushatë aktive për punësimin e stafit në shitje dhe në qendrën logjistike. Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë në jobs.lidl.mk.
Lidl deri më tani ka investuar mbi 200 milionë euro në zhvillimin e infrastrukturës moderne të shitjes me pakicë dhe logjistikës në vend. Kompania është pjesë e Schwarz Group dhe është një nga tregtarët kryesorë të ushqimit në Evropë. Ajo menaxhon rreth 12.900 markete në 31 shtete dhe punëson mbi 395.000 njerëz në mbarë botën.







