09 Dhjetor
Tashmë dy javë, VMRO-DPMNE opozitare e udhëhequr nga Gruevski dhe disa mbështetës protestojnë duke bllokuar bulevardet në Shkup. Pas dy javësh, apo më 23 dhjetor, kjo parti do të mbajë një kongres të jashtëzakonshëm për të zgjedhur një udhëheqës të ri të partisë me çka praktikisht do të zhbllokohen proceset e brendshme dhe stabilizimi i partisë. Ish ministri Spiro Ristovski, i cili shfaqet në protestat me Gruevskin për “360 gradë”, thotë se është herët për të vlerësuar se çfarë duhet të jetë profili i liderit të ardhshëm të partisë dhe të atyre me status më të lartë në parti.
Unë nuk mund të jap ndonjë vlerësim të parakohshëm që ajo në në një mënyrë nuk vlerësohet si profilizimi i dikujt. Përkundrazi unë besoj se delegatët dhe Kongresi, si organi më i lartë partiak do të sjellin vendimin më të duhur që është në drejtim të vazhdimit të funksionimit të përgjithshëm dhe të unitetit të partisë si një faktor kyç për funksionimin e mëtejshëm- deklaroi Spiro Ristovski, VMRO-DPMNE.
Si pretendentë kryesorë për fronin në VMRO DPMNE përmenden Sekretari i Përgjithshëm Kristian Mickovski, i cili konsiderohet si i preferuar i liderit Gruevski në largim, pastaj koordinatori parlamentar Ilija Dimovski, i cili si përparësi e ka përvojën më të gjatë në parti, Nikolla Poposki, i cili mund të mos jetë zgjedhja e parë e bazës, por që mund ta nxjerrë partinë nga izolimi vendas dhe ndërkombëtar. Ambicie manifestojnë edhe ish-ministrat Antonio Milloshoski dhe Nikolla Todorov, kurse informacioni i fundit është vendimi i Filip Petrovskit për të hyrë në garën për postin e kreut të partisë.
Sipas Samoil Malçevskit i cili ishte aktiv në VMRO-DPMNE deri në vitin 2011, ndryshimi i udhëheqjes do të jetë vetëm formal. Ai mbështet nismën e reformatorëve, e cila u bashkua me FRODEM -in, që së pari të ndryshojë statutin e partisë dhe pastaj të zgjidhet një udhëheqës i ri.
Dhe për një periudhë prej 2- 3 muaj të përgatisim një ligj të ri që do të sigurojë procedura demokratike për zgjedhjen e liderit. Atëherë nuk ka asnjë problem që në zgjedhjet brenda-partiake të ketë edhe 5.000 kandidatë, kështu që anëtarësia vetë le të vendosë se kush do të udhëheqë. Në qoftë se vazhdojmë të dalim me emra, disa paraqiten në publik me merita e disa jo, atëherë do të vijmë te ndarjet e brendshme dhe asgjë më shumë se kaq- deklaroi Samoil Malçevski, Iniciativa për reforma në VMRO-DPMNE.
Veterani i VMRO-DPMNE-së, Dimitar Dimitrov, në një kolumnë për portalin “Prizma”, me titull “Edhe Kongresi është Gruevski”, ndër të tjera, thotë se Kongresi do ta rizgjedhë Gruevskin, pavarësisht nëse është me atë mbiemër, apo me një tjetër, duke nënkuptuar që ndikimi i kreut në largim, do të vazhdojë edhe më tej në këtë parti.
Alsat M

