02 November
Akoma nuk jepet asnjë detaj rreth dy funksionarëve të Qeverisë që po hetohen për korrupsion. Pasi kryeministri, Zoran Zaev konfirmoi se dy funksionarë të kabinetit të tij janë nën hetim për korrupsion, Qeveria është e vendosur të mos jep asnjë informatë shtesë derisa hetimi është në rrjedhë e sipër. Deri në këtë moment nuk dihet as kush janë këto funksionarë, as për çfarë lloj korrupsioni bëhet fjalë dhe as se në cilin institucion është lënda. Nga Prokuroria Themelore Publike shkurt u përgjigjën:
Në përputhje me Nenin 289 të Ligjit për procedurë penale, të gjitha veprimet që merren në procedurën parahetimore nga ana e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë konsiderohen si sekrete dhe nuk mund të ndahen me opinionin – theksojnë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë.
Alsat u drejtua me pyetje edhe në Prokurorinë Speciale e cila poashtu nuk tregon nëse hetimi bëhet në kuadër të këtij institucioni. Aktualisht e vetmja gjë që dihet është se këto procedura kanë filluar me parashtresa të qytetarëve. Megjithatë ekspertët e kosniderojnë si një hap pozitiv faktin që publikisht u deklarua se dy anëtarë të Qeverisë janë nën hetim, gjë që nuk ka ndodhur më përpara. Ata shpresojnë që veprimet e fundit të kryeministrit Zaev për të treguar transparencë të jenë të sinqerta dhe procedura të shkojë deri në fund. Ish ministri, Nenad Novkovski madje pret që të gjithë funksionarët e tanishëm e të mëparshëm të përfshirë në krime të përballen me drejtësinë.
Ky është hap në drejtim pozitiv se kreu i pushtetit nuk i pengon hetimet, procedurat juridike për sanksionim të korrupsionit te kreun e pushtetit. Kjo është ajo që e pritëm kohë të gjatë, për të cilën u bë edhe ndryshimi. Ndryshimi I pushtetit erdhi para së gjithash që të ndërpritet rregulli I mos-sanksionimit, se disa njerëz në mënyrë të pakufizuar do të mbeten të pa-sanksionuar, ndaj tyre të mos zbatoheshin procedurat juridike dhe të njëjtat të mos vlenin për to. Ajo që e presim më tutje është që të gjitha aktorët që I pamë në serialin “Bombat e Zokit” edhe në serialin e re “Në kafe te Katica – deklaroi Nenad Novkovski, ish ministër.
Raportet e fundit ndërkombëtare e përshkruajnë Maqedoninë si “shtet të kapur”. Ndërsa për shkak të mosbesimit në institucione dhe mos zbatimin e Ligjit të informatorëve, gjithnjë e më pak qytetarë denoncojnë raste të korrupsionit. Disa herë radhazi, organizatat si “Instituti për Demokraci” dhe “Transparency International”, kanë deklaruar se vendi do të jetë në gjendje ta luftojë korrupsionin vetëm atëherë kur gjyqësori të çlirohet nga kthetrat e politikanëve.
Anesa Salihu

